BALLKANI

Kosovë, Qeveria nënshkruan marrëveshje me Parlamentin Studentor të UP-së

“Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të përkrahë konferencat ndërkombëtare të studentëve në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian”, u tha nga përfaqësuesit e Qeverisë

Agim Sulaj   | 12.08.2019
Kosovë, Qeveria nënshkruan marrëveshje me Parlamentin Studentor të UP-së

Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka arritur një memorandum bashkëpunimi me Parlamentin Studentor që prekë disa fusha me qëllim përmirësimin dhe avancimin e studentëve të universitetit publik, raporton Anadolu Agency (AA).

Takim midis përfaqësuesit të Qeverisë dhe Universitetit, që u zhvillua pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, u mbajt me rastin e shënimit të 12 Gushtit - Ditës Botërore të Rinisë.

Koordinatori Nacional për Rini në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hasani, tha se rinia e Kosovës nuk dallon nga rinia evropiane, janë të rinj të barabartë, por se dallojnë vetëm në aspektin e lirisë së lëvizjes.

Ai tha se kjo pengesë po i pamundëson të rinjve kosovarë të bëhen pjesë e garave ndërkombëtare dhe t’i shfaqin potencialet e tyre, por me marrëveshjen e re Qeveria do t’i mbështesë studentët edhe në këtë aspekt.

“Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të përkrahë konferencat ndërkombëtare të studentëve në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian (BE), krijimin e hapësirave të punës për Parlamentin e Studentëve dhe Këshillat Studentore, zhvillimin e aktiviteteve dhe të kampanjave vetëdijësuese për studentë dhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës, duke filluar me fushatën antinarkotikë në kuadër të task-forcës shtetërore kundër drogës dhe për sigurinë në shkolla”, tha Hasani.

Gjithashtu Qeveria sipas kësaj marrëveshje do t’u ofrojë studentëve të mbajnë praktikë në Qeverinë e Kosovës apo në ministritë përkatëse ku ka nevojë Universiteti i Prishtinës.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Edon Nishori, tha se marrëveshja me Qeverinë do të jetë dobiprurëse për ta në shumë aspekte ndërsa ndër thelbësorët është krijimi i 'bibliotekave të zhurmshme', ku studentët kanë mundësi për prezantim dhe diskutimi të ideve.

“Deri më tani në Universitetin e Prishtinës nuk ka pasur një sallë të veçantë apo një bibliotekë të zhurmshme për t’i realizuar (studentët) qëllimet e tyre. Prandaj ne e kemi menduar ‘fije për pe’ këtë iniciativë që t’i bëjmë këto biblioteka të zhurmshme në UP, ku studentët do të mund të krijojnë të gjitha obligimet nga projektet, prezantimet, punimet shkencore në UP duke mos dalë jashtë këtij kampusi”, tha Nishori.

Në një garë jashtë Kosovës për fushën e së Drejtës Ndërkombëtare Komerciale dhe Arbitrazhit Ndërkombëtar, që u mbajt në prill të këtij viti në Vjenë të Austrisë, studentë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës performuan me mjaft sukses. Ata u radhitën në top 15 universitetet më të mira në garë me 380 universitete nga e gjithë bota.

Universiteti i Prishtinës është universiteti me më së shumti kërkesa nga të rinjtë për t’u regjistruar. Këtë vit sipas të dhënave nga UP mundësi regjistrimi në fakultetet e këtij universiteti do të kenë 7.116 studentë, prej tyre 6.206 të rregullt ndërsa 910 me korrespodencë, numër i cili është përafërsisht është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın