BALLKANI

Kosovë, në mungesë të votave nuk kalon projektligji për tërheqje të mjeteve nga Fondi Pensional

Sipas kryeministrit Kurti, Fondi Pensional është bërë për të mos u zbrazur dhe jo e kundërta

Agim Sulaj   | 23.06.2022
Kosovë, në mungesë të votave nuk kalon projektligji për tërheqje të mjeteve nga Fondi Pensional Foto: Erkin Keçi - AA

Prishtinë

Për shkak të votave jo të mjaftueshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pas një diskutimi që ka zgjatur rreth tri orë, nuk ka kaluar projektligji i propozuar nga opozita për mundësinë e tërheqjes së deri në 30 për qind te mjeteve nga Fondi Pensional, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sallë gjatë votimit në lexim të parë të këtij projektligji ishin të pranishëm 102 deputetë. Por, pro projektligjit kanë votuar 44 deputetë, kundër kanë votuar 57 për qind dhe vetëm 1 deputet ka abstenuar.

Propozuesi i iniciativës, Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) opozitare, i cili në maj të këtij viti ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për ndryshimet në Fondin Pensional, gjatë diskutimit kërkoi nga deputetët që të lejojnë qytetarët e Kosovës të tërheqin nga 10 deri në 30 për qind të kursimeve të tyre në këtë fond, për shkak të krizës ekonomike dhe inflacionit.

Haxhiu ka përmendur edhe vlerat për të cilat kanë propozuar të tërhiqen.

Sipas tij, ata që kanë kursime pensionale më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin 30 për qind të kursimeve të tyre pensionale; personat që kanë kursime pensionale në shumën 10 mijë deri 19 mijë e 999 euro kanë të drejtë të tërheqin deri 25 për qind; ata që kanë kursime nga 20 mijë euro deri në 29 mijë e 999 kanë të drejtë t’i tërheqin 20 për qind; ata me kursime prej 30 mijë deri në 39 mijë e 999 euro kanë të drejtë ti tërheqin 15 për qind dhe ata me mbi 40 mijë euro kursime të mund t’i tërheqin 10 për qind të tyre nga Fondi Pensional.

“Prandaj qytetarët kanë të drejtë kur thonë na lejoni të marrim disa nga prej kursimeve tona në këtë kohë krize. Nga aspekti financiar, ky projektligj do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve dhe do të ketë ndikim pozitiv edhe në buxhetin e shtetit dhe në ekonominë e vendit”, tha Haxhiu.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se deputetët e Vetëvendosjes janë nën presion dhe shantazh që të mos e votojnë iniciativën, por ata duhet të veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre, jo sipas kryeministrit.

Krasniqi vlerësoi se ekonomia është në rënie, ndërsa inflacioni është më i larti që ka pasur Kosova deri më tani që nga paslufta.

“Nëse, si herën e kaluar, 66 për qind e kontributdhënësve tërheqin një pjesë të mjeteve të tyre, në fakt do të tërhiqen jo më pak se 400 milionë euro, por edhe nëse këto 400 milionë euro hynë në ekonominë e Kosovës, cila matje, cili argument ju thotë juve që do të ketë rritje të inflacionit. Rritja e inflacionit do të vazhdojë gjithsesi, këtë e parashikojnë të gjitha parashikimet vendase dhe ndërkombëtare dhe të gjithë e dini se çdo verë në tregun tonë në Kosovë në qarkullim ka shumë më shumë para kesh, për shkak të bashkatdhetarëve tanë që vijnë”, theksoi Krasniqi.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shprehur përkrahje për votimin e projektligjit që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional. Deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, u ka bërë ftesë deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të përkrahin këtë ligj që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja.

Pro projektligjit janë deklaruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Shefi i Grupit Parlamentar i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për lehtësimin e jetëve të qytetarëve.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e mbështetë iniciativën në fjalë.

Ai tha se megjithëse lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimeve dhe rritjen e kostos së jetës si rezultat i rritjes së çmimeve, Qeveria ka ndarë për kategori të ndryshme të qytetarëve ndihma financiare.

Sipas Kurtit, Fondi Pensional është bërë për të mos u zbrazur dhe jo e kundërta.

“Buxheti i vitit 2028 është buxhet yni. Po ashtu edhe mjetet në Trustin Pensional janë tonat. Por, buxheti për vitin 2028 është buxheti për atë vit, jo për vitin 2022. Njësoj edhe pensionet nuk janë për tash por për kohën kur të plakemi, atëherë kur të hymë në pleqëri. Nuk mundemi që një problem të përkohshëm tani, ta zgjidhim me një rrënim të së ardhmes tonë”, theksoi Kurti.

Edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se kërkesa për miratimin e projektligjit për tërheqjen e një pjesë të kursimeve rrënon Fondin Pensional.

Në Kosovë gjatë javëve të fundit ka pasur edhe protesta me kërkesë lejimin për tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike të shkaktuar pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, e pikërisht për këtë shkak, ministri Murati ka deklaruar se tërheqja e mjeteve nga ky fond, nuk duhet të bëhet zakon.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın