BALLKANI

Kosovë, mbahet aktivitet për Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara

Në fund të eventit, nxënësit e Maarif-it u ndanë 111 dhurata simbolike nxënësve me nevoja të veçanta në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim "Përparimi"

Agim Sulaj  | 02.12.2025 - Përdıtësım : 02.12.2025
Kosovë, mbahet aktivitet për Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Këshilli Studentor i Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me "International Maarif School of Kosova" kanë mbajtur aktivitet në Prishtinë në shënim e 3 Dhjetorit - të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, raporton Anadolu.

Aktiviteti u mbajt me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për fëmijët me nevoja të veçanta, përfshirja e tyre në shoqëri dhe forcimi i ndjeshmërisë ndaj kësaj kategorie.

Në aktivitetin e mbajtur në amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit të Universitetit "Hasan Prishtina", morën pjesë Mehmet Nedim Aslan, përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif (TMV) në Kosovë; Kyvete Shatri, prodekane e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës; Drita Dushi, drejtoreshë e Qendrës së Mësimit dhe Këshillimit "Përparimi" dhe të ftuar të tjerë.

Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif (TMV) për Kosovën, Mehmet Nedim Aslan deklaroi se Shkollat ​​Maarif synojnë të nxisin një shoqëri ku të gjithë kanë mundësi të barabarta. Ai tha se nxënësit e Maarif-it tregojnë solidaritet dhe vlera njerëzore duke u dhuruar dhurata simbolike bashkëmoshatarëve të tyre.

"Me këtë rast, shpreh mirënjohjen time të sinqertë mësuesve tanë, familjeve dhe të gjithë palëve të interesuara që punojnë shumë për arsimimin dhe zhvillimin e nxënësve tanë me nevoja të veçanta arsimore. Ne përsërisim angazhimin tonë për të punuar së bashku për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse, të arritshme dhe të barabartë", tha Aslan.

Prodekanja e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Kyvete Shatri tha se përmes aktiviteteve si kjo mund të promovohet mbështetja, ndërgjegjësimi dhe mbështetja. Ajo tha se programi i përgatitur është dëshmi e një angazhimi dhe talentit të nxënësve të shkollave Maarif dhe studentëve të UP-së.

"Ne besojmë thellë se edukimi është forca më e madhe që mund të ndryshojë realitetet. Programi sotshëm kontribuon në forcimin e vlerave humane, në rritjen e sensibilizimit social dhe ndërtimin e një fryme të fortë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona arsimore", tha Shatri.

Drejtoresha e Qendrës "Përparimi", Dushi falënderoi ata që kontribuan në organizimin e këtij eventi në fjalën e saj. Pas fjalimeve, nxënësit performuan shfaqje muzikore dhe vallëzimi.

Në fund të eventit, nxënësit e Maarif-it u ndanë 111 dhurata simbolike nxënësve me nevoja të veçanta në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim "Përparimi".

Përafërsisht 760 nxënës janë të regjistruar në degët e Prishtinës dhe Prizrenit të Shkollave Ndërkombëtare Maarif të Kosovës, të cilat filluan aktivitetet edukative në vitin 2017.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.