BALLKANI, Koronavirusi

Kosovë, masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Vendimi parasheh ndër të tjera "ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00"

Agim Sulaj   | 24.03.2020
Kosovë, masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga sot të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve, si masë për mbrojtje nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur online të hënën në mbrëmje ka vendosur që lëvizja të kufizohet në dy orare brenda 24 orëve. 

Vendimi parasheh "ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)".

Sipas këtij vendimi, qarkullimi do t’i mundësohet operatorëve ekonomik të kualifikuar si më të rëndësishëm të cilat Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë.

Nga tani e tutje Qeveria e Kosovës ka vendosur që sa i përket qarkullimit të qytetarëve në rrugë, "lëvizjet të bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët".

"Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset - private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura - përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit", njofton vendimi, i cili në fund obligon institucionet e Qeverisë të ndërmarrin masat e nevojshme për zbatimin e tij.

Për vendimet e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes, mbrëmë ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka quajtur atë antikushtetues.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media mbrëmë, Thaçi ka thënë se kufizime të tilla të lëvizjes mund të bëhen vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për këtë arsye, Thaçi thirri qytetarët e Kosovës të mos e respektojnë vendimin, ngase me një vendim të tillë nga ana e kryeministrit "askush s’ka të drejtë t’i dënojë qytetarët".

"Vendimi i Qeverisë është pa efekt juridik dhe është i pazbatueshëm në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Nesër paradite do t’i kërkoj Gjykatës Kushtetuese pezullimin dhe anulimin e këtij vendimi në përputhshmëri me procedurat", kishte thënë mbrëmë Thaçi.

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Kurti edhe javën e kaluar kishin pasur mospajtime se a duhet apo jo të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Me idenë e presidentit Thaçi për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, doli ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, i cili më pas u shkarkua për këtë me "arsyen se përhapi panik të panevojshme për koronavirus tek qytetarët".

Në Kosovë deri më tani nga koronavirusi i ri (COVID-19) ka vdekur një person, ndërsa 61 janë të infektuar. Të dielën gjatë ditës, kufizime në qarkullim kishte kërkuar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.