Shëndetësi, BALLKANI

Kosovë, KFOR-i italian dhuron pajisje mjekësore në vlerë prej 50 mijë euro

"Italia ndër vite ka ndihmuar sistemin shëndetësor të Kosovës për të ofruar shërbime sa më cilësore që ka për qëllimin ngritjen e kapaciteteve shëndetësore", tha ministri i Shëndetësisë, Latifi

Zylfije Adem Jakupi   | 05.08.2022
Kosovë, KFOR-i italian dhuron pajisje mjekësore në vlerë prej 50 mijë euro Foto: Erkin Keçi / AA

Kosova

Përfaqësuesit e kontingjentit italian të KFOR-it sot i kanë dorëzuar Shërbimit spitalor klinik universitar të Kosovës një donacion në formë të pajisjeve mjekësore për kujdes intensiv, në vlerë prej 50 mijë euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, ambasadori italian Antonello De Rio dhe përfaqësues të KFOR-it italian morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në Shërbimin spitalor klinik universitar të Kosovës.

Ministri Latifi falënderoi Italinë dhe popullin italian për ndihmën e vazhdueshme në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë në periudhën e pasluftës, ndërsa veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit. Ai theksoi se Qeveria e Italisë dhe KFOR-i italian kanë ndihmuar në furnizimin e vaksinave kundër COVID-19 si dhe me ndihmën dhe shkëmbimin e përvojës së ekspertëve italianë në fushën e trajtimit intensiv në fillim të pandemisë.

"Italia ndër vite ka ndihmuar sistemin shëndetësor të Kosovës për të ofruar shërbime sa më cilësore që ka për qëllimin ngritjen e kapaciteteve shëndetësore, në sferën e kardiokirurgjisë, sidomos në kardiokirurgjinë e fëmijëve. Tani do të sigurojmë trajnimin e kirurgëve, anesteziologëve, infermierëve dhe infrastrukturën me pajisjen e nevojshme për shërbimin shumë të rëndësishëm për të cilin Kosova ka nevojë shumë", tha Latifi.

Ai theksoi se trajnimi do të fillojë këtë vit dhe se qëllimi është që qytetarët e Kosovës të mos shkojnë për trajtim jashtë vendit duke trajnuar personelin mjekësor dhe duke përmirësuar infrastrukturën.

Ambasadori italian De Rio tha se donacioni i sotëm konsiston në pajisje për monitorimin e terapisë me oksigjen gjatë kujdesit intensiv për foshnjat dhe të rriturit.

"Ky projekt ndihme është pjesë e bashkëpunimit civilo-ushtarak që forcat e KFOR-it po e zbatojnë në mbarë Kosovën që nga dita e mbërritjes në këtë vend. Për 23 vitet e fundit, KFOR-i ka punuar për të zhvilluar demokracinë dhe për të sjellë paqen dhe stabilitetin në Kosovë, duke siguruar kompabilitet dhe vendosjen e rendit publik", tha ambasadori italian.

De Rio tha se ekspertët italianë kanë vite që punojnë me personelin mjekësor lokal dhe se në dy vitet e fundit, gjatë pandemisë së COVID-19, Italia ka ndihmuar me furnizimin me oksigjen.

Përfaqësuesi i kontingjentit italian të KFOR-it tha se është nder për të që të dorëzojë pajisjet mjekësore që do ta forcojnë edhe më shumë sistemin shëndetësor të Kosovës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın