BALLKANI, Koronavirusi

Kosovë, fillon vaksinimi i grupmoshës mbi 85-vjeç kundër COVID-19

86 vjeçari Ismail Beshku nga Prishtina, i cili sipas rregullave po qëndronte i ulur pas vaksinimit në ambientet e sallës, tha për AA se nuk ka pasur fare dyshime mbi efektin e vaksinës

Agim Sulaj   | 08.04.2021
Kosovë, fillon vaksinimi i grupmoshës mbi 85-vjeç kundër COVID-19 ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë ka filluar vaksinimi i personave të moshës mbi 85-vjeç me vaksina nga kompania AstraZeneca, raporton Anadolu Agency (AA).

86 vjeçari Ismail Beshku nga Prishtina, i cili sipas rregullave po qëndronte i ulur pas vaksinimit në ambientet e sallës, tha për AA se nuk ka pasur fare dyshime mbi efektin e vaksinës.

Ai tha se që nga përhapja e pandemisë së COVID-19 është kujdesur maksimalisht për ruajtjen nga infektimi me koronavirus, ndërsa u sugjeroi të gjithëve që të imunizohen, në mënyrë që ta ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve.

“I befasuar jam. Kam pritur që do të ketë një radhë të qytetarëve mirëpo kur erdha u befasova së pari që nuk u janë përgjigjur, ndoshta është dhe herët, dita e parë, mirëpo pranimi ka qenë i mrekullueshëm”, tha Beshku duke folur për kushtet e vaksinimit në “1 Tetori”.

Menaxheri i ekipit në qendrën “1 Tetori” për imunizim të popullatës kundër COVID-19, Niman Bardhi tha se vaksinimi i kësaj grupmoshe do të zgjasë për tri ditë me radhë.

Bardhi tha se kjo qendër ka kapacitet të përballojë vaksinimin nga 750 deri në 1.000 persona në ditë, por do të varet edhe nga ajo se sa të moshuar do të vijnë.

“Nga sot dhe dy ditë tjera në vijim, për tri ditë radhazi ne do të vaksinojmë grupmoshën mbi 85 vjeç, do të thotë në datat 8,9 dhe 10. Ndërsa, nga data 11, 12 dhe 13 vazhdohet me grupmoshën që janë 80 deri në 84 vjeç. Sa i përket gatishmërisë tonë, ne jemi të gatshëm që të vaksinojmë nga 750 deri në 1.000 persona por kjo do të varet nga ajo se sa do të vinë të moshuarit për t’u vaksinuar, duke pasur parasysh që mundësia e ardhjes, transporti, reflektojnë drejtpërsëdrejti”, theksoi ai.

Bardhi tha se kanë marrë të gjitha masat për ndonjë rast kur pacientët nuk ndihen mirë, përfshirë ekipin e urgjencës me autoambulancë që gjendet në vendin e vaksinimit, për t’i transportuar këta persona në emergjencë.

Vaksinimi i grupmoshave më të vjetra filloi në Kosovë pasi përfundoi ai i punonjësve shëndetësorë në komunat kryesore të vendit. Deri dje, kur ishte dita e fundit e vaksinimit të profesionistëve shëndetësorë publik dhe atyre privat, u vaksinuan mbi 5.400 nga ta.

Më 28 mars në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24 mijë doza të vaksinave anti-COVID-19 nga kompania AstraZeneca përmes programit COVAX. Një pjesë tjetër e tyre pritet të arrijë para muajit maj të këtij viti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın