Agim Sulaj
03 gusht 2026•Përditësim: 03 gusht 2026
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, lidhur me pritjet e gjata me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës nga diaspora në pikat kufitare të Kroacisë, transmeton Anadolu.
Konjufca ka bërë të ditur se ka shprehur shqetësimin për vështirësitë që këto pritje po u shkaktojnë qytetarëve në kulmin e sezonit veror.
"Ministri Grliq Radman më njoftoi se do ta trajtojë këtë çështje me autoritetet kompetente kroate, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë për lehtësimin e qarkullimit dhe zvogëlimin e kohës së pritjes. Fluksi i lartë i udhëtarëve po përkon edhe me masa të shtuara të sigurisë dhe kontrolle më të rrepta në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, pas krizës kufitare të ditëve të fundit në Spanjë. Këto masa kanë ndikuar në zgjatjen e procedurave të kontrollit në pikat kufitare", theksoi Konjufca.
Konjufca falënderoi homologun kroat për mirëkuptimin, gatishmërinë dhe qasjen konstruktive ndaj kësaj çështjeje, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe miqësor ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Ministri kosovar tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë në komunikim të ngushtë me autoritetet kroate, duke e ndjekur nga afër situatën dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve tanë.
Vera është stina kur në Kosovë rikthehen për pushime shumë qytetarë kosovarë të cilët jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe më larg.