BALLKANI

Konfirmohet prania e COVID-19 tek një shtetas i Maqedonisë së Veriut

MPJ njofton se është konfirmuar prania e COVID-19 (koronavirusit) tek një nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut që gjenden në anijen “Diamond Princess” në Jokohama të Japonisë

Admir Fazlagikj   | 13.02.2020
Konfirmohet prania e COVID-19 tek një shtetas i Maqedonisë së Veriut

Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut (MPJ) njoftoi se është konfirmuar prania e COVID-19 (koronavirusit) tek një nga shtetasit maqedonas që gjenden në anijen “Diamond Princess” në Jokohama të Japonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në pajtim me informacionet më të reja të marra nga organet kompetente japoneze, informojmë se ka ardhur deri te ndryshimi lidhur me gjendjen e shtetasve maqedonas që gjenden në anijen 'Diamond Princess' në Jokohama, Japoni. Është konfirmuar prania e COVID-19 tek njëri prej tyre i cili për momentin është shtrirë në spital në Japoni”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

“Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tokio është në komunikim me shtetasin në fjalë. Njëherit, ambasada në baza ditore komunikon edhe me dy shtetasit tjerë të cilët ende gjenden në anijen në Jokohama dhe të cilët deklarojnë se ndjehen mirë dhe deri tani nuk kanë shfaqur simptoma që mund të tregojnë praninë e COVID-19", thuhet në njoftim.

MPJ më 6 shkurt informoi se tre shtetas maqedonas janë në anijen e cila është mbajtur në Japoni për shkak të pranisë së personave të infektuar me COVID-19.

Anija, e cila ankoroi në portin “Jokohama” afër kryeqytetit Tokio, më 4 shkurt u vendos në karantin pasi tek një nga pasagjerët nga Hong Kongu u zbulua virusi COVID-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli gjendje të rrezikut global.

Numri i të vdekurve nga COVID-19 arrin 1368 ndërsa 59 883 persona janë të infektuar.

Kujtojmë se nga 27 janari në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup filluan masat parandaluese kundër COVID-19. Me kamera termale skanohen pasagjerët e fluturimeve nga Stambolli dhe Dubai, të cilët kanë lidhje me rajonin në Kinë, ku është vatra e këtij virusi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın