BALLKANI

Komuna e Prishtinës i jep "Çelësin e Qytetit" presidentit malazez Gjukanoviq

Kryetari Rama e ka pritur presidentin malazez bashkë me kabinetin e tij në oborrin e godinës së vjetër të Komunës së Prishtinës

Agim Sulaj  | 18.05.2022 - Përdıtësım : 19.05.2022
Komuna e Prishtinës i jep "Çelësin e Qytetit" presidentit malazez Gjukanoviq Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, me ç’rast i ka dhuruar atij "Çelësin e Qytetit", simbolin e miqve të Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari Rama e ka pritur presidentin malazez bashkë me kabinetin e tij në oborrin e godinës së vjetër të Komunës së Prishtinës.

Pasi ia ka prezantuar kabinetin e tij presidentit malazez, Rama dhe Gjukanoviq kanë zhvilluar takim për më shumë se gjysmë ore në zyrën Kryetarit të Komunës së Prishtinës, ku më pas ai është nderuar me "Çelësin e Qytetit", i cili u ndahet miqve të kryeqytetit kosovar.

Presidenti Gjukanoviq gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë u prit sot gjatë ditës edhe nga homologia e tij kosovare Vjosa Osmani si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në mungesë të kryeministrit Kurti, i cili ndodhet në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës, do të shtrojnë një drekë zyrtare për nder të presidentit Gjukanoviq.

Në ditën e dytë të vizitës, Gjukanoviq do të vizitojë bazën e KFOR-it, do të mbajë një ligjëratë në një kolegj vendor dhe do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit të organizuar nga Konsulli i Nderit i Malit të Zi në Kosovë.

Presidenti Gjukanoviq dhe presidentja Osmani-Sadriu gjithashtu do të flasin edhe në manifestimin "Ditët e malazezëve në Kosovë" organizuar nga Shoqata e Malazezëve "Lovćen".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.