Sport, BALLKANI

Kompania turke "Kiğılı" nënshkruan marrëveshje sponsorizimi me Federatën e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut

“Do të bëjmë gjëra të mira së bashku. Ne i duam sportistët. I duam adhuruesit e sportit. Ne duam të mbështesim klubet sportive që i shërbejnë sportit dhe sportdashësve”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë

Husamedin Gina  | 15.09.2021 - Përdıtësım : 16.09.2021
Kompania turke "Kiğılı" nënshkruan marrëveshje sponsorizimi me Federatën e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut Foto: Husamedin Gina / AA

Shkup

Federata e Basketbollit e Maqedonisë së Veriut dhe kompania turke e modës “Kiğılı” nënshkruan sot një marrëveshje sponsorizimi 1+1-vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast, në qendrën sportive “Jane Sandanski” në Shkup u mbajt një konferencë për shtyp ku morën pjesë Hilal Suerdem, shefi ekzekutiv i kompanisë “Kiğılı”, Pero Antiq, president i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë së Veriut, dhe Todor Gechevski, drejtor i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë së Veriut.

Hilal Suerdem, në konferencë për shtyp falënderoi Pero Antiqin, njëherësh ish-basketbollist i klubit turk Fenerbahçe, për pritjen e ngrohtë, duke shtuar se janë të nderuar të jenë sponsorë të ekipit të basketbollit të Maqedonisë së Veriut.

“Do të bëjmë gjëra të mira së bashku. Ne i duam sportistët. I duam adhuruesit e sportit. Ne duam të mbështesim klubet sportive që i shërbejnë sportit dhe sportdashësve. Kemi qenë gjithmonë pranë sportistëve dhe do të vazhdojmë të jemi. Shpresoj se së bashku do të shkojmë drejt veprave të mira dhe kampionateve” tha Suerdem.

I pyetur nga AA se cila është rëndësia e marrëveshjes së sotme për kompaninë, për Turqinë dhe për basketbollin në Maqedoninë e Veriut, Suerdem tha se ata kanë zgjedhur posaçërisht ekipin e basketbollit të Maqedonisë së Veriut dhe se me mbështetjen e tyre, ekipi do të jetë më i fortë.

“Jemi të nderuar që jemi me një ekip të fortë. Do të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë bashkëpunim në vende të ndryshme, në vendet e Ballkanit, në vendet evropiane”, theksoi Suerdem, duke kujtuar se kompania e tyre gjithashtu sponsorizon klube të ndryshme futbolli.

Pero Antiq, presidenti i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë së Veriut, duke shprehur falënderime për Suerdem, tha se shpreson që të kenë një bashkëpunim afatgjatë me kompaninë “Kiğılı”.

“Do të kemi nderin të kontribuojmë në këtë kompani e cila në ditët në vijim në kuptimin e vërtetë të fjalës do të kujdeset për imazhin jo vetëm të federatës, por edhe të shumë segmenteve të tjera të basketbollit”, tha Antiq.

Në konferencën për shtyp, Todor Geçevski, drejtori i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë së Veriut, në emër të tij dhe në emër të gjithë federatës falënderoi kompaninë turke të modës.

“Ky partneritet do të na mundësojë neve si federatë që të krijojmë kushte më të mira për të gjithë sportistët, të rinjtë dhe zhvillimin”, tha Geçevski, duke shtuar se partneriteti do të mundësojë zhvillimin e mirë të kompanisë “Kiğılı”, e cila është e njohur në gjithë Evropën në sport.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın