BALLKANI

Ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, vizitë në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka takuar ish-kryediplomatin amerikan, ku në lidhje me këtë takim, ka shkruar se kanë folur "për lidhjen e ngushtë mes Shqipërisë e SHBA-së, pasojat e luftës mbi zinxhirin ekonomik dhe projektet amerikane në Shqipëri"

Fatjon Cuka   | 16.05.2022
Ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, vizitë në Shqipëri Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Tiranë

Ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka realizuar një vizitë në Shqipëri në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe në kuadër të nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes shoqërive Albgaz dhe Overgas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar ish-kryediplomatin amerikan, ku në lidhje me këtë takim, Rama ka shkruar në rrjetet sociale se kanë folur "për lidhjen e ngushtë mes Shqipërisë e SHBA-së, pasojat e luftës mbi zinxhirin ekonomik, projektet amerikane në Shqipëri, situatën në rajon dhe bukurinë e rrallë të vendit tonë".

Ndërkohë, po sot është organizuar në Tiranë edhe konferenca "Together-Krah për Krah", nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, me pjesëmarrjen e zyrtareve të lartë të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të SHBA-së.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj në konferencë theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pasqyra ku shohin vetveten kombet që sipas saj aspirojnë për liri e demokraci, zhvillim e mirëqenie dhe paqe e siguri.

"Shtetet e Bashkuara janë dora e zgjatur e miqësisë, talenti i pashtershëm i lirisë, fuqia e ndryshimit, udhëheqësi i valëve të demokratizimit dhe integrimit të Shqipërisë e shqiptarëve drejt qytetërimit perëndimor, arkitekti i sinergjisë funksionale midis demokracisë, stabilitetit e sigurisë", ka theksuar Nikolla.

Pompeo theksoi gjatë fjalës në konferencë se "unë e shoh që kjo miqësi do të ketë edhe 100 vite të tjera po aq të suksesshme".

"Që nga viti 1922 marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë po aq të shkëlqyera. Kjo marrëdhënie e fortë që është ndërtuar me kombe të ndryshme, në kohë të ndryshme dhe me Shqipërinë është e veçantë sidomos për 30 vitet e fundit për të ndërtuar, konsoliduar demokracinë", tha Pompeo.

Duke folur në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, ai tha se edhe pas luftës do duhet të ndihmojnë Ukrainën që të rindërtohet.

Memorandumi mes Albgaz dhe Overgas

Mes shoqërive Albgaz dhe kompania Overgas u nënshkrua sot në Tiranë një memorandum mirëkuptimi, duke shprehur synimin e tyre të ndërsjellë mbi diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror.

Ky memorandum u nënshkrua gjatë një ceremonie në Tiranë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë, si kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe ish-sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, tha gjatë fjalës në ceremoni se memorandumi i mirëkuptimit në të ardhmen do të kthehet një nga projektet më të rëndësishme për Ballkanin.

"Fakti që sekretari Pompeo e mbështet këtë nismë dhe është këtu sot për të dëshmuar se ky do të jetë një bashkëpunim serioz, në të ardhmen mund të kthehet në një bashkëpunim real", tha Balluku.

Sipas Albgaz, memorandumi i mirëkuptimit me kompaninë nga Bullgaria skicon hapësirat e mundshme të bashkëpunimit për të siguruar qëndrueshmërinë e furnizimit, reduktimin e varësisë së rajonit prej gazit rus dhe materializimin e këtyre objektivave nëpërmjet projekteve konkrete.

"Me anë të këtij memorandumi hapet sipari i kthimit të projektit të LNG Vlora në një mekanizëm rajonal karshi të cilit kanë shprehur interesin e tyre jo vetëm partnerët amerikanë, por edhe kompanitë lider në rajon. Niveli i lartë i përfaqësimit në ceremoninë e sotme dëshmon për interesin që kanë ngjallur projektet e ndërmarra prej qeverisë shqiptare si edhe mbështetjen që aleati strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dedikojnë strategjisë sonë për tejkalimin e pasojave të krizës energjetike dhe projektet që do e kthejnë vendin në një kontribuues rajonal energjetik të së nesërmes", theksohet në një njoftim të Albgaz.

Albgaz është një shoqëri aksionere me 100 për qind të aksioneve të zotëruara nga shteti shqiptar dhe funksionon si një operator duke kryer veprimtarinë e operatorit të sistemit të transmetimit dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në Shqipëri.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın