BALLKANI

"Integrimi evropian është një rrugëtim kompleks"

Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë (KKIE) ka zhvilluar një takim më temë "Gjyqësori dhe të drejtat e njeriut"

Fatjon Cuka   | 23.09.2020
"Integrimi evropian është një rrugëtim kompleks" Foto: Kuvendi i Shqipërisë/AA

Tiranë

Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë (KKIE) ka zhvilluar një takim me përfaqësues të disa institucioneve më temë "Gjyqësori dhe të drejtat e njeriut", me fokus vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) të marsit të këtij viti për procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin që u mbajt online ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, gjatë fjalës së saj u ndal në procesin e reformës në institucionet e drejtësisë, duke theksuar funksionalitetin e plotë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Në lidhje me reformën në drejtësi, ajo tha se ka një kuadër të plotë ligjor, ku e gjithë paketa e akteve nënligjore ka përfunduar.

Kryetarja e KKIE-së, Rudina Hajdari, tha se është e rëndësishme moszvarritja e procedurave nga institucionet e pavarura, me qëllim që të krijohet kuorumi i nevojshëm në Gjykatë të Lartë, që sipas saj, të hapet rruga për plotësimin e vakancave në Gjykatë Kushtetuese.

"Duke vlerësuar dhe mirëpritur vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky vendim është vetëm fillimi i një rrugëtimi shumë të gjatë, i cili kërkon angazhimin e të gjitha forcave politike, të qeverisë dhe institucioneve të pavarura kushtetuese, apo edhe ato të krijuara me ligj, pushtetit lokal dhe angazhimin e shoqërisë civile, për t’ia dalë mbanë që në fund të këtij procesi Shqipëria të jetë vend anëtar i BE-së", theksoi Hajdari.

"Integrimi Evropian është një rrugëtim kompleks"

Nënkryetari i KKIE-së, Taulant Balla, në fjalën e tij tha se këshillit i takon të përcjellë një mesazh shumë direkt dhe angazhues. "Integrimi Evropian është një rrugëtim kompleks, që kërkon bashkërendim të shumë aktorëve, qeverisë, kuvendit, institucioneve të gjyqësorit, partive politike, shoqërisë civile e deri tek qytetari më i thjeshtë", tha Balla.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe është në pritje të fillimit të negociatave zyrtare të anëtarësimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.