BALLKANI

Hoti në Shkup: Arritja e marrëveshjes me Greqinë, hap se si duhet të normalizohen marrëdhëniet në rajon

"Arritja e marrëveshjes me Greqinë është një sukses i jashtëzakonshëm, i juaji personalisht, me mbështetje të miqve, partnerëve tanë ndërkombëtarë. Besoj se është hap i mirë se si duhen të normalizohet marrëdhëniet në mbarë rajonin", deklaroi Hoti

Abdulbesar Ademi,Admir Fazlagikj   | 23.10.2020
Hoti në Shkup: Arritja e marrëveshjes me Greqinë, hap se si duhet të normalizohen marrëdhëniet në rajon ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, pas takimit me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev ka deklaruar se vendi i tij përshëndet marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë të arritur në Washington dhe se mbështet një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët që do të garantojë paqen dhe sigurinë në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoti u prit me një ceremoni solemne nga Zaev para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, pas çka pasuan takimet dypalëshe dhe të përbashkëta midis dy delegacioneve qeveritare.

Në konferencën e përbashkët për media, Zaev tha se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunim të suksesshëm të bazuar në parimet e mbështetjes dhe respektit reciprok. Ai tha se presin intensifikimin e dialogut politik dhe mbajtjen e seancës së parë të përbashkët qeveritare midis dy vendeve, e cila sipas tij, do të jetë një impuls pozitiv drejt zhvillimit dhe bashkëpunimit.

Lidhur me ekonominë e dy vendeve, Zaev tha se struktura, por edhe të gjitha parimet themelore të funksionimit janë të drejtuara drejt njëra-tjetrës dhe me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik dhe komunikimit theksi vihet në lidhjet e infrastrukturës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

"Në atë kontekst, dua të theksoj se afërsia jonë gjeografike do ta afrojë më tej ndërtimin e kufirit Shkup-Kosovë. Kjo autostradë është e një rëndësie të veçantë dhe jo vetëm për vendet tona, por për të gjithë rajonin. Dua të theksoj se jemi në procesin e përgatitjes për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë dhe faza e parë e tenderit ka përfunduar. Shpresojmë që shpronësimi të përfundojë këto ditë në mënyrë që faza e dytë të përfundojë me qëllimin përfundimtar të kemi një zgjidhje të autostradës nga Shkupi deri në Prishtinë", deklaroi Zaev.

Ai tha se Maqedonia e Veriut është një nga 5 vendet me të cilat Kosova ka shkëmbim të lartë tregtar dhe njoftoi se në kushte kaq të jashtëzakonshme me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) shkëmbimi i përgjithshëm tregtar që nga muaji gusht është afër 170 milionë euro.

Kryeministri Zaev po ashtu iu referuar marrëdhënieve të vendeve në rajon, duke theksuar se, "Çdo përmirësim i marrëdhënieve midis fqinjëve sjell stabilitet dhe prosperitet për të gjithë rajonin. Kjo është arsyeja pse ne mirëpresim marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit në Washington. Në të njëjtën kohë ne mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, që po udhëhiqet nga BE-ja. Sinqerisht ju urojmë sukses. Mbështesim një zgjidhje reciprokisht të pranueshme që garanton dhe forcon paqen dhe sigurinë në rajonin tonë, garanton një të ardhme të begattë për të gjithë qytetarët dhe përshpejton procesin e integrimit në BE", tha Zaev.

Ndër të tjera, Zaev njoftoi se të premten e ardhshme ai do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, me të cilët do të diskutojë për promovimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri kosovar, Hoti nga ana e tij, përshëndeti të arriturat e qeverisë së kaluar të Maqedonisë së Veriut në krye me kryeministrin Zaev, siç i quajti ai, "veprime të jashtëzakonshme që në karrierën politike të një kryeministri mund të kushtojnë, por hapin perspektivë për zhvillim dhe normalizim të marrëdhënieve".

"Në këtë drejtim, arritja e marrëveshjes me Greqinë është një sukses i jashtëzakonshëm, i juaji personalisht, me mbështetje të miqve, partnerëve tanë ndërkombëtarë. Besoj se është hap i mirë se si duhen të normalizohen marrëdhëniet në mbarë rajonin", deklaroi Hoti.

Ai përgëzoi edhe rugën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut si dhe nismat rajonale për të cilat ai tha se vendi i tij pret që t'u bashkohet për të punuar bashkë në "normalizimin e plotë të marrëdhënieve në rajon".

Hoti përshëndeti nismat për fillimin e ndërtimit të austradës nga Shkupi drejt kufirit të Kosovës, që do të lidhet me autostradën tashmë të ndërtuar të palës kosovare për të lidhur kryeqytetet e dy vendeve. Ai po ashtu përmendi nevojën për lidhjen e Tetovës dhe Prizrenit përmes autostradës, gjë që do të ndikojë pozitivisht në lidhjet midis qytetarëve dhe bizneseve të të dy vendeve.

Lidhur me menaxhimin e pandemisë së COVID-19, Hoti tha se ka pasur një bashkëpunim të ngushtë midis dy vendeve fqinje, duke shtuar se masat kufizuese, të tilla si mbyllja e kufijve, nuk duhet të shihen si kufizime, por si veprime që duhet të ndërmerren së bashku për të frenuar përhapjen e pandemisë.

"Në Kosovë tash është gjendja pak më e mirë sesa ka qenë më herët, ndërsa këtu në Shkup dhe më gjerë ka filluar të rritet numri. Bashkëpunimi është i ngushtë edhe në shkëmbimin e përvojave dhe informacioneve të nevojshme. Atë që po bëjmë është që të marrim parasysh të gjitha protokollet që janë të përgatitura nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) dhe organizata të tjera sa i përket vendosjes së masave që kufizojnë përhapjen e koronavirusit. Çfarëdo mase që marrim ne ose që ndërmerr qeveria këtu në Shkup, duhet të kuptohet si masë për të parandaluar përhapjen e virusit, e jo si kufizim ndër-shtetëror", tha Hoti në pyetjen nëse rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19 përsëri do të çojë në mbylljen e kufijve midis dy vendeve.

Pas takimit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Hoti do të pritet në takim edhe nga presidenti, Stevo Pendarovski, kryeparlamentari Talat Xhaferi si dhe zv/kryeministri i parë, Artan Grubi, së bashku me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.

Në Ambasadën e Kosovës në Shkup, kryeministri Hoti do të realizojë takime të ndara edhe me krerët e partive të tjera politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın