BALLKANI

Hoti: Linja e re hekurudhore lidhë Prishtinën me Stambollin

"Linja hekurudhore që e lidhë Prishtinën me Durrësin me Portin Adriatik, e lidhë Prishtinën edhe me Selanikun, me Stambollin, me Evropën Qendrore, Beogradin, Budapestin", tha Hoti

Agim Sulaj  | 24.09.2020 - Përdıtësım : 24.09.2020
Hoti: Linja e re hekurudhore lidhë Prishtinën me Stambollin Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Linja hekurudhore e cila pritet të konkretizohet si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Washington midis Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, pritet që ta lidhë kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën me disa qendra të mëdha të rajonit dhe më gjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke thirrur që marrëveshja për hekurudhën të mos shihet si projekt që lidhë Prishtinën me pjesën qendrore të Serbisë, por projekt që fillimisht lidhë Prishtinën me Portin e Durrësit, por edhe me qendra të mëdha si Stambolli, Budapesti e Selaniku.

“Linja hekurudhore që e lidhë Prishtinën me Durrësin me Portin Adriatik, e lidhë Prishtinën edhe me Selanikun, me Stambollin, me Evropën Qendrore, me Beogradin, me Budapestin dhe përtej saj. Kështu duhet të shihet kjo. Një marrëveshje e veçantë është për linjën hekurudhore. Ne kemi pasur plan para disa viteve kur unë vetë kam qenë ministër i financave, që kjo linjë hekurudhore që lidhë Prishtinën me Durrësin të bëhet pjesë e asaj që quhet ‘cooperation network’ (rrjet bashkëpunimi) në Ballkan, por ka pasur vështirësi tek autoritetet përkatëse evropiane që të futet edhe kjo linjë”, theksoi Hoti, i cili shtoi se për këtë projekt Kosova ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Hoti theksoi se projekti për hekurudhën i cili planifikohet të ndërtohet brenda 3 deri në 5 vite do të jetë i shtrenjtë për shkak të terrenit, “por ne duhet të mendojmë në periudha afatgjate dhe për gjeneratat e ardhshme”.

Një delegacion i agjencive të ndryshme amerikane që vizitoi të hënën Qeverinë e Kosovës, ritheksoi mbështetjen financiare amerikane prej 1 miliard eurosh për të çuar përpara projektet e miratuara në marrëveshjen e stabilizimit ekonomik Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë.

Transporti hekurudhor në Kosovë paraqitet si një prej sistemeve më të dobëta në rajon. Aktualisht, në qarkullim janë vetëm dy linja nëpër të cilat kalojnë trenat e Kosovës. Linja Prishtinë - Hani i Elezit dhe ajo Prishtinë –Pejë, që të dyja merren vetëm me transportin e udhëtarëve.

Kryeministri Hoti para gazetarëve ka folur edhe rreth bashkangjitjes së Kosovës në iniciativën për Mini-Schengenin Ballkanik, ku tha se Kosova bëhet pjesë e kësaj ideje me synim afatshkurtër.

“Do të shohim në takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen se si Kosova do të bëhet pjesë e saj në baza gjithmonë plotësisht të barabarta sikur çdo vend tjetër. Me orientimin që ky është një projekt i përkohshëm, në afatgjatë ne gjithmonë tentojmë të bëhemi pjesë e zonës evropiane Schengen”, theksoi Hoti.

Delegacioni i agjencive amerikane i kryesuar nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DFC), Adam Boehler ka nënshkruar marrëveshje me kryeministrin Avdullah Hoti të hënën për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 4 shtator në SHBA midis Kosovës dhe Serbisë.

Pas kësaj, Hoti tha se “është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe në regjion dhe bashkë me këtë momentum besoj se do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.