Agim Sulaj
10 Shtator 2020•Përditësim: 11 Shtator 2020
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Bruksel, sot është takuar me Presidentin e Parlamentit Evropian (PE), David Sassoli, si dhe me anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hoti nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë të ditur se në këto takime me përfaqësuesit më të lartë të PE-së, u ka bërë atyre thirrje që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet sa më parë lëvizja e lirë në Zonën Shchengen.
“Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe po vazhdon ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit dhe sundimin e rendit dhe të ligjit”, është shprehur Hoti, i cili ka shtuar se shpreson që sa më shpejt kjo temë të jetë në agjendën e Këshillit të Bashkimit Evropian gjatë presidencës gjermane.
Ai tha se presidentin e PE-së Sassoli e ka njoftuar për përkushtimin e qeverisë në zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit dhe fuqizimin e rendit dhe ligjit, si dhe për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID 19, për të cilën i ka falënderuar institucionet e BE-së për ndihmën e dhënë.
“Integrimi evropian dhe euro-atlantik i Kosovës mbetet objektivi më i rëndësishëm strategjik për shoqërinë tonë. Vlerat evropiane janë mishëruar në shoqërinë tonë dhe këto vlera janë themeli i vendit tim”, ka thënë Hoti.
Në Bruksel Hoti ka marrë pjesë sot edhe në takimin e parë të deputetëve të PE-së, pjesë e Grupit të Miqësisë për Kosovën.
Ai shtoi se gjatë takimeve që ka pasur, ka kërkuar nga eurodeputetët ta mbështesin Kosovën në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti qëndroi bashkë me delegacionin kosovar edhe të martën në Bruksel për t’u takuar me delegacionin serb në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ku pas këtij takimi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak tha se bisedimet kanë shënuar përparim.