Agim Sulaj
31 korrik 2026•Përditësim: 31 korrik 2026
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar krerë të partive politike parlamentare para mbajtjes së seancës konstituive të 6 gushtit, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media pas takimit në Zyrë e Presidentes, u.d. Presidentja Haxhiu tha se qëllimi i këtij takimi ishte përgatitjet administrative dhe procedurale për seancë.
Haxhiu tha se në takim me krerët e partive kishte pajtim të plotë për të gjitha pikat të cilat do të mbahen më 6 gusht, nga formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, si dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Uroj që më 6 gusht Kosova të arrijë ta konstituojë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Puna që na pret është e madhe sepse qytetarët më 7 qershor e thanë qartë se çfarë presin nga ne dhe çfarë presin nga institucionet e Kosovës”, theksoi Haxhiu.
E pyetur nëse këto ditë para mbajtjes së seancës konstituive do të vazhdojnë takimet mes partive politike për një koalicion qeverisës, Haxhiu e quajti lajm të mirë mbledhjen e delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dje ku u rikonfirmua kryetari aktual i partisë, Lumir Abdixhiku.
“Është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë, pra të thirren dhe të mbahen dhe të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje për konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit”, theksoi Haxhiu.
Ajo tha se ende nuk është përcaktuar se kush do të propozohet për kryetar apo kryetare të Kuvendit.
Pritet që gjatë këtyre ditëve, para datës 6 gusht kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja të vazhdojnë takimet në përpjekje për të gjetur një konsensus për bashkëqeverisje.
LVV-ja mund ta votojë e vetme qeverinë e re, por asaj i duhen votat edhe të deputetëve të opozitës për votimin e presidentit të ri, pozitë e cila u bë shkak që Kosova të shkojë në zgjedhje më 7 qershor.