BALLKANI

Grubi: Universiteti "Nënë Tereza", evolucion në vete i marrëveshjes paqësore të Ohrit

Duke folur për shënimin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, zv/kryeministri Grubi njoftoi se këtë vit motoja do të jetë "Përtej Ohrit"

Abdulbesar Ademi   | 04.08.2021
Grubi: Universiteti "Nënë Tereza", evolucion në vete i marrëveshjes paqësore të Ohrit Foto: Edıta Zekjırovıkj / AA

Shkup

Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve, Artan Grubi, në trywzën e rrumbullakët kushtuar 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit ka deklaruar se nga tani do të fillojnë një kapitull të ri përtej Ohrit për të ndërtuar të ardhmen e vendit në frymën e kësaj marrëveshjeje, por "kompatibil me të nesërmen", raporton Anadolu Agency (AA).

Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup, Grubi theksoi se një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit është arsimi sipëror që filloi nëpërmjet legalizimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT). Ai po ashtu vlerësoi edhe legalizimin e Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup, si hap i dalë nga Marrëveshja e Ohrit.

"Universiteti 'Nënë Tereza' është evolucion në vete i marrëveshjes paqësore të Ohrit. U themelua pa asnjë britmë, pa asnjë kritikë, pa asnjë zë oponence në Kuvend, por në mënyrën më të mirë dhe më të qetë të mundshme me përkrahje shumë të gjerë", u shpreh Grubi.

Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup filloi me punë më 27 tetor të vitit 2016 në ndërtesën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut dhe që nga ajo kohë është në përpjekje për të ndërtuar një objekt të ri personal. Ky universitet, edhe pse gjatë themelimit hasi në disa pengesa për shkak të mungesës së kuadrit dhe objektit, operon me pesë fakultete, respektivisht në shkenca sociale, në shkenca informatike, në shkenca teknologjike, në shkenca teknike dhe në ndërtimtari dhe arkitekturë.

Duke folur për shënimin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën institucionet shtetërore tashmë kanë filluar aktivitetet kushtuar kësaj dite, zv/kryeministri Grubi njoftoi se këtë vit motoja do të jetë "Përtej Ohrit".

"Çfarë ka (ndodhur) deri më 2021-shin ishte deri tek Ohri, pas 2021-shin, siç e thashë kush e ka guximin të na bashkangjitet, sepse do të fillojmë kapitullin e ri përtej Ohrit. Aty do të na duhet ndihma e gjithë secilit, të gjitha tre universitetet të cilët ligjërojnë në gjuhën shqipe këtu në vendin tonë, gjithë botës akademike, gjithë botës së biznesit, gjithë botës politike, sepse do të duhet të ndërtojmë koncepte të reja në të cilat ne si komunitet i dytë shumicë, bashkë edhe me komunitetin shumicë dhe komunitetet e tjera të ndërtojmë të ardhmen e këtij vendi në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por të jemi kompatibil me të nesërmen duke qenë shumë të vetëdijshëm me të sotmen në të cilën jetojmë", deklaroi Grubi.

Marrëveshja Kornizë, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në Rezidencën Presidenciale në Shkup mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-ve. Kjo marrëveshje, negociatat e të cilës filluan në Shkup për të vazhduar më tej në Ohër ku u bë përafrimi i dokumentit, i dha fund konfliktit ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın