BALLKANI

Grubi: Nëpunësit administrativë do të vendosen në 237 institucione të vendit

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, tha se plani përfshin të punësuarit në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, që kanë lidhur marrëdhënie pune deri më 31 dhjetor të vitit 2019

Admir Fazlagikj  | 22.01.2021 - Përdıtësım : 24.01.2021
Grubi: Nëpunësit administrativë do të vendosen në 237 institucione të vendit ( Admir Fazlagikj - Anadolu Agency )

Shkup

Zv/kryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, sot informoi se ka filluar procedura për shpërndarjen e 1.349 nëpunësve administrativë të cilët do të vendosen në 237 institucione në Republikën e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeministri Grubi tha se në frymën e Marrëveshjes Kornizë, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e saj të 40-të miratoi planin për transferimin e nëpunësve administrativë, të punësuar përmes programit K-5 në Ministrinë për Sistem Politik.

Plani përfshin të punësuarit në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, që kanë lidhur marrëdhënie pune deri më 31 dhjetor të vitit 2019.

Siç deklaroi zv/kryeministri, në këtë proces administrativ kanë punuar nëpunës administrativ prej më shumë institucioneve, nga hartimi i ligjit, përgatitja e planit e deri te marrja e vendimeve dhe transferimi i këtyre nëpunësve.

“1.349 nëpunës, mes tyre kryesisht ekonomistë dhe juristë, por edhe kuadër me arsim të mesëm, do të vendosen në 237 institucione, organe të shtetit dhe vetëqeverisje lokale, por edhe në organet tjera shtetërore të themeluara në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe në institucionet e arsimit, shkencës, shëndetësisë, kulturës, punës, mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, sport”, deklaroi Grubi.

Po ashtu, ai shtoi se përveç institucioneve në fjalë, administratorët do të shpërndahen edhe në institucione tjera me interes publik të definuara me ligj, të organizuara si agjenci fondesh, institucione publike dhe ndërmarrje publike të themeluara nga Republika e Maqedonisë së Veriut, ose nga komunat, nga Qyteti i Shkupit si dhe nga komunat në kuadër të Qytetit të Shkupit.

“Në këtë plan nuk ka vetëm shqiptarë, por edhe maqedonas, ka edhe romë dhe turq dhe serbë dhe boshnjakë. Transferimi kryhet përmes sistematizimit të punonjësit, në vendin e punës me nivel të njëjtë, përkatës me vendin e punës për të cilin punonjësi i përmbush kushtet e veçanta dhe themelore me aktin e sistematizimit të vendeve të punës në institucionin në të cilin është transferuar", tha Grubi.

Ai gjithashtu tha se udhëheqësit e institucioneve obligohen të fillojnë me harmonizimin e akteve për sistematizimin e vendeve të punës në afat prej 30 ditëve nga miratimi i planit.

"Në bazë të planit për shpërndarje, institucionet e aprovojnë vendimin për sistematizim të të punësuarve, ndërsa personat udhëheqës në institucionet janë të obliguar të fillojnë procedurë për harmonizimin e akteve për sistematizimin e vendeve të punës në afat prej 30 ditëve nga miratimi i planit”, sqaroi Grubi.

Mes tjerash ai informoi se Ministria e Financave tashmë ka dhënë pëlqim për planin, ndërsa Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) është e obliguar të japë pëlqim në afat prej 7 ditëve për ndryshimet në sistematizimin e institucioneve në të cilat zhvillohet transferimi i nëpunësve administrativë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın