BALLKANI

Grenell në Beograd: Të hiqet taksa, por edhe pala serbe të ndalojë çnjohjet e Kosovës

"Të njëjtën kërkesë e bëj edhe këtu, e që është ajo që ka të bëjë me fushatën e tërheqjes së njohjeve, e cila duhet të ndërpritet", tha Grenell në Presidencën serbe

Bojana Stojanovıc  | 24.01.2020 - Përdıtësım : 24.01.2020
Grenell në Beograd: Të hiqet taksa, por edhe pala serbe të ndalojë çnjohjet e Kosovës ( Milos Miskov - Anadolu Agency )

Beograd

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell sot në Beograd deklaroi se taksa mbi mallrat e Serbisë të cilën e ka vendosur Prishtina doemos duhet të hiqet, ndërsa pala serbe doemos duhet të ndërpresë fushatën e tërheqjes së njohjeve të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Grenell deklaroi se këtë e ka thënë edhe dje në Prishtinë në të gjitha takimet.

"Të njëjtën kërkesë e bëj edhe këtu, e që është ajo që ka të bëjë me fushatën e tërheqjes së njohjeve, e cila duhet të ndërpritet", tha Grenell në Presidencën serbe.

Ai tha se nuk ka as axhendë, as plan, por këtu është për të shtyrë përpara të dyja palët.

"Ne po vijmë t'ju lidhim. Unë nuk kam axhendë ose ide. Nuk do t'ju bëj presion. Unë dua t'ju lidh juve në mënyrë që ekonomitë tuaja të rriten, të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë, të qëndrojnë këtu dhe të kenë shpresa. Mundohem të përqendrohem në krijimin e dinamikës në ekonomi, ndërsa politikën dua t’ua lë juve", tha ai.

Grenell paralajmëroi se të hënën në Berlin do të mbahet një takim i ekspertëve nga të dyja palët për krijimin e një linje hekurudhore midis Beogradit dhe Prishtinës ndërsa falënderoi Vuçiçin për hapin drejt krijimit të një linje ajrore Beograd-Prishtinë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se nuk e pranon shenjën e barazisë në tërheqjen e taksës dhe tërheqjen e njohjeve të Kosovës, duke kujtuar se Beogradi i ofroi Prishtinës pushim në aplikimet për pranim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të bënte pushim në fushatën "njohja e pavarësisë", por që u refuzua.

"Nuk kontestohet që të gjendet një zgjidhje kompromisi dhe kjo është arsyeja pse po bisedojmë me Grenell", tha Vuçiç.

Ai tha se Serbia në një vit ka humbur 435 milionë euro për shkak të taksës.

Vuçiç paralajmëroi se Beogradi është i gatshëm të punojë në vendosjen e linjës hekurodhore mes Beogradit dhe Prishtinës.

"Unë vetëm thashë se është e rëndësishme që taksa të hiqet, sepse në atë rast, treni do të shkonte pa mall, se njerëzit të shiheshin në çantat e tyre çfarë kanë", tha ai.

Ai po ashtu tha se mbi çështjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë ka tre-katër hapa që lidhen me kompaninë ajrore, siç është marrëveshja e Drejtorisë së Aviacionit Civil me KFOR-in, miratimi i 'lex specialis' në Parlament dhe marrëveshja për “Lufthansa”-n.

“Me rëndësi është të tregtojmë, të punojmë me shqiptarët për shkak të serbëve në Kosovë”, shtoi ai.

Ai falënderoi presidentin e SHBA-ve, Donald Trump që Serbinë e ka vënë në vëmendje të madhe dhe përsëriti se Trump ka ftesë të hapur ta vizitojë Serbinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.