BALLKANI

Gjykata Speciale: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj dënohen me nga 4 vjet e gjysmë burgim

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë dënon me nga 4 vjet e gjysmë burgim ish-krerët e organizatës së veteranëve të luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Agim Sulaj  | 18.05.2022 - Përdıtësım : 18.05.2022
Gjykata Speciale: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj dënohen me nga 4 vjet e gjysmë burgim

Prishtinë

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, ka shpallur fajtorë dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj dhe ka dënuar ata me nga 4 vjet e gjysmë burgim duke përfshirë kohën e qëndrimit të tyre në paraburgim si dhe me nga një shumë parash prej 100 eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).

Gucati e Haradinaj, ndaj të cilëve u shqiptua për herë të parë një vendim që nga funksionimi i Gjykatës Speciale, u dënuan të mërkurën për publikimin e dokumenteve të Gjykatës Speciale të cilat ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë në vitin 2020.

Trupi Gjykues konstatoi se në shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj, në tri konferenca për media, në më shumë se 20 paraqitje në media të tjera dhe përmes postimeve në mediat sociale zbuluan informacion konfidencial të hetimeve dhe punës së brendshme të Task Forcës Hetimore Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky ishte informacion i mbrojtur me ligj që përmbante emrat e qindra dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm.

Të akuzuarit e zbuluan këtë informacion duke treguar dokumentet që e përmbanin atë informacion, duke i lejuar të tjerët të këqyrnin, filmonin, fotografonin kopjonin ose merrnin me vete dokumentet dhe duke përshkruar publikisht përmbajtjen e dokumenteve. Krahas këtyre veprimeve, Trupi Gjykues konstatoi se të akuzuarit publikisht i quajtën dëshmitarët “tradhtarë”, “spiunë”, “bashkëpunëtorë” dhe “shqipfolësa”. Të bëra në kontekstin e një atmosfere të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, Trupi Gjykues konstatoi se synimi i komenteve të të akuzuarve ishte për t’i frikësuar dëshmitarët dhe dëshmitarët e mundshëm dhe rrjedhimisht për t’i bërë që të ngurronin të jepnin informacion për hetimet e ZPS-së lidhur me ish-anëtarë të UÇK-në.

Gjobën prej 100 eurove, sipas Trupit Gjykues, secilit nga të dënuarit duhet ta paguajnë deri në korrik të vitit 2022.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020. Paraqitjet e para të tyre si të dyshuar u mbajtën para Gjykatësit të vetëm, Nikola Giju, më 29 shtator dhe 1 tetor 2020.

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat. Gjykimi i tyre filloi më 7 tetor 2021 ndërsa procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 3 shkurt 2022.

Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet nga avokatët e të dënuarve.

Përpos Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në paraburgim në Hagë vazhdojnë të qëndrojnë ende krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, deputeti Rexhep Selimi si dhe Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın