BALLKANI

Gjykata shqiptoi 3 dënime me burg të përjetshëm në rastin "Monstra"

Sipas vendimit, të akuzuarit e arratisur Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç janë dënuar nga gjykata me burgim të përjetshëm për veprën penale "terrorizëm", dënim i cili është shqiptuar edhe për të akuzuarin Agim Ismailoviç

Admir Fazlagikj  | 23.02.2021 - Përdıtësım : 24.02.2021
Gjykata shqiptoi 3 dënime me burg të përjetshëm në rastin "Monstra" Foto: Husamedin Gina / AA

Shkup

Gjykata Penale në Shkup ka shpallur 3 dënime të përjetshme në rastin "Monstra" për veprën penale "terrorizëm", dënime me burg prej 15 respektivisht 9 vjetësh për vepra penale "ndihmë autorit të një vepre penale", ndërsa liroi njërin nga të akuzuarit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas vendimit, të akuzuarit e arratisur Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç janë dënuar nga gjykata me burgim të përjetshëm për veprën penale "terrorizëm", dënim i cili është shqiptuar edhe për të akuzuarin Agim Ismailoviç.

"Të akuzuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç janë shpallur fajtorë për kryerjen e veprës penale të terrorizmit sipas nenit 394-b paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal. I dënoj me burgim të përjetshëm. I akuzuari Agim Ismailoviç shpallet fajtor për veprën penale të terrorizmit. Ai është i dënuar me burgim të përjetshëm", tha gjykatësi Ognen Stavrev.

I akuzuari Fejzi Aziri u shpall fajtor për veprën penale "ndihmë autorit të një vepre penale" dhe u dënua me 15 vjet burg. Për të njëjtën vepër, i akuzuari Haki Aziri u shpall fajtor dhe u dënua me 9 vjet burg.

Për të akuzuarit Sami Luta, aktakuza u refuzua pasi prokurori publik hoqi dorë nga aktakuza.

Në seancën e sotme, gjykata miratoi kërkesën e Prokurorisë dhe kërkoi paraburgim për të gjithë të dënuarit në rastin "Monstra". Paraburgimi do të jetë në fuqi deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Pas shpalljes së vendimit, avokatët e të akuzuarve dhanë deklaratë për media.

"Ju e patë që pa ndonjë provë, nuk iu kushtua aspak vëmendje vendimit të Gjykatës Supreme, e cila, në fakt, i liroi të akuzuarit", tha avokati Naser Raufi.

Avokati tjetër i të akuzuarve, Asmir Alispahiç, në deklaratën për mediat tha se "prokurorët publik në këtë rast kanë treguar standarde të dyfishta në lidhje me propozimet për përcaktimin e masës së paraburgimit që janë aktuale në periudhën e fundit".

"Unë kam theksuar dhe vazhdoj të theksoj se pranimi i propozimit nga prokurori publik në lidhje me masën e paraburgimit është vetëm një lidhje tjetër midis gjyqësorit dhe Zyrës së Prokurorit Publik", theksoi Alispahiç.

Bedri Ajdari, një familjar i disa të akuzuarve në rastin "Monstra", deklaroi se ata janë të pakënaqur me vendimin dhe bëri thirrje që ditën e premte të mbahen protesta.

Rasti "Monstra"

Gjyqi për rastin "Monstra" filloi më 20 dhjetor 2012, me akuzën për vrasjen e 5 personave më 12 prill 2012 afër Liqenit të Smillkovës.

Në qershor të vitit 2014, gjashtë të akuzuar u dënuan me burgim të përjetshëm, kurse një person u lirua.

Më 24 nëntor 2017, Gjykata e Lartë vendosi që rasti "Monstra" të rihapet dhe të dënuarit të lirohen nga burgu nën masën e kujdesit.

Situata e pakonfirmuar faktike si dhe ekzistenca e mundshme e bisedave të përgjuara që mund të ndryshonin rrjedhën e procedurave, ishin arsyet e kërkesës së Prokurorisë për Gjykatën e Lartë për të marrë vendim për rihapjen e rastit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın