BALLKANI

Gërvalla-Schwarz: Ka një ashpërsim të qartë të gjuhës së Serbisë në raport me rajonin dhe Kosovën

“Presidenti Vuçiq garon në zgjedhje dhe ai me deklaratat e tij tregon saktë se nuk është i interesuar të ketë sukses në këtë proces të dialogut deri në rizgjedhje të tij”, tha kryediplomatja kosovare Gërvalla-Schwarz

Agim Sulaj   | 30.11.2021
Gërvalla-Schwarz: Ka një ashpërsim të qartë të gjuhës së Serbisë në raport me rajonin dhe Kosovën ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk ka vullnet të vazhdojë bisedimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, deri në rizgjedhjen e tij si president, në pranverën e vitit të ardhshëm kur në Serbi mbahen zgjedhjet e përgjithshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë raportimit të punës së MPJD-së në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ministrja Gërvalla-Schwarz tha se aktualisht ka një ashpërsim të qartë të gjuhës së Serbisë dhe aleates së saj, Rusisë, në raport me rajonin dhe Kosovën, si dhe ngritje të agresivitetit të Serbisë në raport me fqinjët e saj.

Ajo tha Kosova ka paraqitur qartë rrezikun që vjen nga gjuha e përdorur e Serbisë gjatë muajve të fundit dhe nevojën që Bashkimi Evropian (BE) t’i përgjigjet hapur asaj.

“Thënë mes nesh, nuk presim ndonjë rezultat nga këto bisedime, sepse Serbia në pranverën e vitit të ardhshëm hyn në zgjedhje, presidenti Vuçiq garon në zgjedhje dhe ai me deklaratat e tij tregon saktë se nuk është i interesuar të ketë sukses në këtë proces të dialogut deri në rizgjedhje të tij. Ne megjithatë mbetemi konsistentë në atë që dialogu është e vetmja rrugë, sepse Kosova asnjëherë as nuk e ka hapur luftën dhe nuk e ka kërkuar luftën me askënd. Dialogu është e vetmja rrugë për ndjekjen e zgjidhjeve edhe me fqinjin tonë verior, por nevojitet në të njëjtën kohë një gjuhë tjetër nga Serbia”, tha Gërvalla-Schwarz.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Gërvalla-Schwarz tha se kohëve të fundit nuk ka ndonjë të arritur konkrete, por kanë pasur shkëmbime shumë intensive me shtetet skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën, sidomos me Francën.

Ajo tha se përpos Ministrisë së Jashtme edhe, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka zhvilluar takime “të frytshme” me delegacione nga Ministria e Brendshme e Francës.

“Nuk dua ta përjashtoj apriori mundësinë që shumë shpejt mund të kemi një ndryshim të kësaj qasjeje të deritanishme të skepticizmit ndaj liberalizimit të vizave, por nuk do të më habiste edhe fakti nëse një temë e tillë do të shtrohej në momente më seriozisht pas zgjedhjeve në Francë sepse ka një përshtypje sikur refuzimi i Francës është i lidhur edhe me çështje të brendshme të këtij shteti”, tha Gërvalla-Schwarz.

Gërvalla-Schwarz foli edhe për iniciativën rajonale “Open Ballkan”, për të cilën tha se krijohet përshtypja se kjo nismë ka munguar për të pasur raporte më të mira rajonale.

Ajo tha se Kosova nuk ka nevojë për alternativa të cilat janë më shumë fjalë goje sesa oferta serioze në kuadër të asaj që filloi si iniciativë e Novi Sadit, vazhdoi si Mini-Schengen dhe më pas si Open Ballkan.

Po kështu, ministrja Gërvalla-Schwarz foli edhe rreth emërimit të ambasadorëve të rinj, të cilëve u është përfunduar mandati në nëntor të këtij viti. Ajo tha se janë në një proces të emërimit të ambasadorëve të rinj dhe deri në fund të muajit dhjetor presin që ata të fillojnë punën në vendet përkatëse.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın