BALLKANI, Koronavirusi

Filipçe: Në këtë periudhë ora policore nuk është zgjidhje

"Vlerësoj se në këtë periudhë ora policore nuk është një zgjidhje, mjafton të respektohen këto masat e tanishme", tha mes tjerash ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe

Admir Fazlagikj  | 26.10.2020 - Përdıtësım : 27.10.2020
Filipçe: Në këtë periudhë ora policore nuk është zgjidhje

Shkup

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se tani për tani nuk ka nevojë për zbatuar orë policore në vend, por sipas tij është e nevojshme të respektohen masat aktuale kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media me kreun e Komisionit të Sëmundjeve Infektive, Zharko Karaxhovski, ministri Filipçe tha se në mbledhjen e komisionit është diskutuar nevoja e madhe për më shumë teste. Ai theksoi se janë siguruar 350 teste më shumë në bazë ditore.

Sa i përket ndihmës së njoftuar me respiratorë nga NATO, Filipce tha se 60 respiratorë dhe pajisje mbrojtëse personale do të mbërrijnë në vend të premten, të cilat më pas do të shpërndahen në mënyrë të përshtatshme në institucionet shëndetësore publike sipas nevojave, ekspertizës dhe numrit të pacientët që trajtohen.

Në konferencën për media, Filipçe rikujtoi se nesër para deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut është Ligji për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive, ku ai shprehu besimin se deputetët do ta miratojnë ligjin shpejt, sepse siç tha ai, ajo pako e masave të propozuara së bashku me masat aktuale zbatohen edhe në vendet e tjera të Evropës.

Sipas tij, në këtë moment nuk duhet të zbatohen dhe rekomandohen masa shtesë, por ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat që janë në fuqi, të cilat sipas tij do të ndihmojnë në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

"Vlerësoj se në këtë periudhë ora policore nuk është një zgjidhje, mjafton të respektohen këto masat e tanishme. Rekomandimi i përgjithshëm në takimin me të gjitha vendet në rajon është që të mos ketë një formë të tillë të kufizimit të lëvizjes, ndërsa një pako masash që imiton orën policore është praktikisht në fuqi", tha Filipçe.

Dje në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 22 raste të vdekjeve nga COVID-19, që është një numër rekord i vdekjeve ditore nga ky virus. I pyetur nga gazetarët për të komentuar mbi shkakun e nivelit të lartë të vdekshmërisë, Filipce tha:

"Një përqindje e madhe e pacientëve kanë edhe sëmundje tjera, që nënkupton një formë e rëndë e një sëmundjeje tjetër kronike me të cilën ata janë trajtuar për një kohë të gjatë, më tej një numër i konsiderueshëm i pacientëve vijnë në spital me vonesë me një manifestim tashmë të rëndë të sëmundjes. Ky është një trend që na ndjek nga fillimi, por tani në përgjithshësi numri i pacientëve që vijnë vonë në spital është rritur. Mbi 85 për qind e të vdekurve janë pacientë që kanë sëmundje tjera".

Kryetari i Komisionit të Sëmundjeve Infektive, Zharko Karaxhovski, theksoi se 80 për qind e pacientëve me COVID-19 janë asimptomatikë apo kanë një pasqyrë të lehtë klinike.

"Mesatarisht, 2-4 për qind përfundojnë në klinikë dhe ata zakonisht kanë një proces inflamator në mushkëri ose ndonjë sëmundje tjetër që ndërlikon pasqyrën klinike. Mesatarisht, 1-4 për qind përfundojnë në respirator", tha Karaxhovski.

Kujtojmë se sipas shifrave të djeshme në Maqedoninë e Veirut u regjistruan 561 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 26.954, ndërsa numri i përgjithshëm i vdekjeve u rrit në 919.

Aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 7.408.

Deri më tani, gjithsej 235.038 teste për COVID-19 janë kryer në Maqedoninë e Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.