Fermerët grekë protestojnë në Athinë për shkak të vonesave të subvencioneve
Fermerët theksuan rritjen e kostove të prodhimit dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të fondeve të vonuara të mbështetjes qeveritare, të cilat janë pezulluar për shkak të hetimit të korrupsionit në institucionin publik OPEKEPE
Shkup
Fermerët grekë zhvilluan një protestë përpara Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Ushqimit në Athinë sot, duke protestuar kundër vonesave në pagesat e subvencioneve dhe ndikimit të shpërthimit të lisë së deleve në prodhimin blegtoral, raporton Anadolu.
Protestuesit fillimisht marshuan drejt Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, e më pas vazhduan drejt selisë së OPEKEPE-së, institucionit publik që është nën hetim nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) për dyshime korrupsioni në pagesat e subvencioneve.
Fermerët theksuan rritjen e kostove të prodhimit dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të fondeve të vonuara të mbështetjes qeveritare, të cilat janë pezulluar për shkak të hetimit të korrupsionit në OPEKEPE.
Forcat e sigurisë morën masa paraprake gjatë protestës.
EPPO hapi hetimin në maj, për dyshime mashtrimi që lidhen me subvencionet e shpërndara përmes OPEKEPE-së. Në qershor, skandali çoi në dorëheqjen e një ministri dhe tre zëvendësministrave, ndërsa subvencionet për fermerët u ngrinë përkohësisht në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Ndërkohë, rreth 32.000 dele dhe dhi janë asgjësuar në rajonet e Maqedonisë Lindore dhe Trakisë që nga gushti, për shkak të shpërthimit të lisë së deleve që ka prekur blegtorinë në mbarë vendin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
