BALLKANI

Duda në Shkup: Polonia jep mbështetje pa rezervë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Presidenti polak tha se vazhdon mbështetja e vendit të tij për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Husamedin Gina  | 19.11.2021 - Përdıtësım : 22.11.2021
Duda në Shkup: Polonia jep mbështetje pa rezervë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pritur në takim në Shkup homologun e tij polak, Andrzej Duda, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Duda u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në pllajën para kabinetit të presidentit të Maqedonisë së Veriut. Të dy presidentët zhvilluan një takim dypalësh, pasuar nga një takim plenar i dy delegacioneve presidenciale.

Pas mbledhjes plenare të delegacioneve, në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij, presidenti Pendarovski tha se vizita e presidentit polak në Shkup është konfirmim i miqësisë dhe i marrëdhënieve të fuqishme midis dy vendeve.

Pendarovski njoftoi se ndër temat që janë trajtuar në takim ishin marrëdhëniet dypalëshe, situata në Ballkanin Perëndimor, integrimet evropiane të vendit, si dhe sfidat aktuale me të cilat po përballen dy vendet si aleatë të NATO-s.

Ai po ashtu falënderoi qeverinë polake për dhurimin e mbi 200 mijë vaksinave Pfizer të koronavirusit të ri (COVID-19), të cilat siç tha ai, janë dhuruar sot.

Ndër të tjera, presidenti Pendarovski theksoi se një nga temat kryesore ishte integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut.

“Polonia tregon mirëkuptim të madh për pozitën në të cilën jemi dhe po bën përpjekje për të ndihmuar në tejkalimin e pengesave me të cilat po përballemi, edhe atë jo vetëm në mënyrë dypalëshe, por edhe përmes Grupit të Vishegradit, si dhe përmes forumeve të tjera rajonale në të cilat është anëtare”, tha Pendarovski.

Duke theksuar se janë shkëmbyer mendime për situatën në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë, presidenti Pendarovski tha se homologut të tij polak i ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për tejkalimin e kësaj situate. Ai theksoi se për vendin e tij janë plotësisht të papranueshme veprimet e udhëheqjes bjelloruse që orkestrojnë këtë krizë humanitare.

Presidenti Duda, nga ana e tij, falënderoi presidentin Pendarovski për solidaritetin dhe mbështetjen e dhënë mbi problemin që Polonia ka në kufirin me Bjellorusinë.

“Dua të them se është vërtet fakt që sulmi që po ndodh aktualisht është në fakt një sulm hibrid dhe aktualisht po kryhet në kufirin polak, por në të njëjtën kohë ai kufi është edhe kufi i NATO-s, domethënë bëhet fjalë për tre vende anëtare. Këta janë Polonia, Lituania dhe Letonia”, tha Duda.

Ndër të tjera, Duda tha se vazhdon mbështetja e Polonisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE). Ai theksoi se bashkëpunimi midis dy vendeve zhvillohet në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

I pyetur se çfarë nëse Maqedonia e Veriut përsëri merr një “jo” në muajin dhjetor nga Bullgaria për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, presidenti polak tha se Bullgaria akoma është në proces zgjedhor dhe se qeveria akoma nuk është formuar.

Ai tha se shpreson që qeveria e ardhshme në Bullgari të ketë qëndrim më konstruktiv në lidhje me anëtarësimin e vendit në BE, duke shtuar se Polonia do të japë mbështetje pa rezervë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, presidenti Duda do të zhvillojë takime me kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Pendarovski dhe Duda po ashtu do të marrin pjesë në "forumin e biznesit maqedono-polak" që do të mbahet në Shkup.

Dy presidentët do të vendosin edhe kurorë lulesh te varri i Goce Dellçevit në Shkup.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.