BALLKANI

Doganat e Maqedonisë së Veriut konfiskuan 16,5 ton cigare dhe 13 ton duhan

"Nëse produktet do të gjendeshin në tregun e Maqedonisë së Veriut, buxheti i shtetit do të dëmtohej për një milion euro", thotë drejtori Tanasoski

Abdula Berisha   | 11.07.2019
Doganat e Maqedonisë së Veriut konfiskuan 16,5 ton cigare dhe 13 ton duhan ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Drejtoria e Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një konferencë për media ka njoftuar se ka zbuluar dhe ka konfiskuar 16,5 ton cigare dhe 13 ton duhan, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç bëri të ditur drejtori Gjoko Tanasoski, konfiskimet kanë ndodhur në muajt maj dhe qershor, ndërsa opinioni njoftohet tani për shkak të hetimit që vijoi dhe parashtrimit të padive përkatëse.

Tanasoski tha se në vendkalimin kufitar Tabanoc, që lidh Maqedoninë e Veriut me Serbinë, në datat 24 dhe 28 maj janë gjetur mbi 1.100 pako me cigare, që peshonin gjithsej 16,5 ton. Ai tha se bëhet fjalë për gjithsej 11 milionë cigare.

Duhani në formë të fletëve është konfiskuar me datë 16 qershor në vendkalimin kufitar Bogorodicë në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kamioni kishte paraqitur dokumente se transportonte letër për cigare, por shërbimet e doganës kanë zbuluar se në të kishte 130 pako me duhan, me peshë të përbashkët prej 13 ton.

"Nëse cigaret, respektivisht duhani do të gjendeshin në tregun vendas, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për mallra me akcizë, buxheti i shtetit për dogana, akciza dhe TVSH do të dëmtohej për rreth një milion euro apo më shumë se 64 milionë denarë", tha Tanasoski, duke shtuar se mallrat i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin me Pronën e Konfiskuar.

Tanasoski u zotua se Drejtoria e Doganave në koordinim me institucionet tjera kompetente do të vazhdojë të realizojë operacione të vazhdueshme për parandalimin e kontrabandimit të duhanit dhe të produkteve tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.