BALLKANI

Delegacioni turk nga Drejtoria e Përgjithshme e Pylltarisë vizitë në Shqipëri

Sipas një njoftimi nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kjo vizitë e ekspertëve turq vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes së grantit mes Turqisë e Shqipërisë për dhurimin e pajisjeve në ndihmë të situatës së përmbytjeve

Fatjon Cuka   | 26.02.2021
Delegacioni turk nga Drejtoria e Përgjithshme e Pylltarisë vizitë në Shqipëri Foto: Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë/AA

Tiranë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë, Milva Ekonomi, priti në takim një delegacion nga Turqia i kryesuar nga zv/drejtori i Përgjithshëm i Pylltarisë, Mustafa Ozkaya, transmeton Anadolu Agency(AA).

Sipas një njoftimi nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, vizita e ekspertëve turq vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes së grantit mes Turqisë e Shqipërisë për dhurimin e pajisjeve në ndihmë të situatës së përmbytjeve dhe vërshimit të ujërave në sipërfaqet e tokave.

Pjesë e takimit ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ndërkohë ekspertët nga Turqia do të vizitojnë zonat e dëmtuara nga reshjet e fundit në Shqipëri.

"Ministrja Ekonomi falënderoi palën turke për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e qeverisë turke për të ndihmuar në ofrimin e ekspertizës në çështjet që kanë të bëjnë me bonifikimin e tokës dhe pyjet, me fokus të veçantë zonat e përmbytura", theksohet në njoftim.

Më tej thuhet se ambasadori turk e konsideroi takimin e së mërkurës midis kryeministrit Edi Rama dhe ministrit turk të Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli, "si një nxitje e inkurajim për të arritur rezultate konkrete në këtë bashkëpunim të ri".

"Ngritja e grupeve të përbashkëta të punës mes ekspertëve turq e shqiptarë dhe njohja me zonat e prekura është hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes, ndërsa pritet të mbërrijnë dhe pajisjet e dhuruara nga pala turke për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Kujtojmë se ministri turk Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli, më 24 shkurt vizitoi Shqipërinë, duke realizuar takime me kryeministrin Rama dhe ministren Ekonomi, ndërkohë vizitoi edhe qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të ndihmave të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për fermerët e ndikuar nga përmbytjet e muajve të fundit.

Gjatë vizitës, ministri Pakdemirli dhe ministrja Ekonomi nënshkruan marrëveshjen e grantit mes dy vendeve mbi dhurimin nga Turqia të pajisjeve në ndihmë të situatës së përmbytjeve dhe vërshimit të ujërave në sipërfaqet e tokave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın