BALLKANI

Dërgohet kontigjenti i parë i Armatës së Maqedonisë së Veriut në Misionin e NATO-s në Kosovë

"Maqedonia e Veriut zë vendin e saj në NATO si një vend që do të thotë paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan", tha ministrja e Mbrojtjes, Shekerinska

Admir Fazlagikj   | 17.10.2020
Dërgohet kontigjenti i parë i Armatës së Maqedonisë së Veriut në Misionin e NATO-s në Kosovë Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

Në kazermën "Ilinden" në Shkup, në praninë e kreut më të lartë ushtarak dhe shtetëror, u mbajt një ceremoni ushtarake me rastin e dërgimit të kontigjentit të parë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në misionin e NATO-s në Kosovë - "KFOR", raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoni, para pjesëtarëve të kontigjentit u adresuan presidenti i Maqedonisë së Veriut dhe komandanti i Përgjithshëm i Armatës, Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Në fjalën e tij, Pendarovski tha se pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut edhe para se vendi të bëhej anëtar i NATO-s, duke marrë pjesë në misionet tregoi se ajo mund të plotësojë kërkesat më komplekse dhe të kryejë të gjitha detyrat.

"Edhe pse ne jemi anëtar të NATO-s që nga marsi i këtij viti, vlerësimi ynë në aleancë është i lartë dhe merita ju takon juve, të nderuar ushtarë dhe oficerë, sepse ju vazhdimisht tregoni profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të plotë ndaj këtij profesioni fisnik. Kjo është arsyeja pse sot nuk kam as dyshimin më të vogël se ju, pjesëtarët e Armatës edhe në misionin e ardhshëm do të ruani standardet më të larta dhe do ta përfaqësoni atdheun tuaj me dinjitet", tha Pendarovski.

"Misioni i KFOR-it filloi 21 vjet më parë si përgjigje e krizës së madhe ushtarake dhe humanitare dhe ai mision solli paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës por edhe stabilizimin e të gjithë rajonit tonë. Prania jonë e ardhshme në Kosovë me 44 ushtarë, e cila do të jetë pjesëmarrja jonë më e madhe për momentin krahasuar me kontigjentet e tjera që kemi në Afganistan, Liban dhe Bosnjë e Hercegovinë, flet shumë për rëndësinë që i kushtojmë këtij misioni", tha Pendarovski.

Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është bërë një shembull se si me vullnet të qartë politik dhe vizion strategjik për të ardhmen e shtetit dhe popullit mund të shkohet përpara "nga një vend që ka nevojë për ndihmë të jashtme dhe ndihmë për t'u transformuar në një vend që është një faktor i stabilitetit në rajon dhe një aleat i respektuar në aleancën më të fortë politiko-ushtarake në historinë e botës ".

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në fjalimin e tij në ceremoni tha se Armata e Maqedonisë së Veriut deri më tani ka marrë pjesë indirekt në Misionin e KFOR-it përmes mbështetjes logjistike për NATO-n, por që tani ky mision ka rëndësi të veçantë për Armatën, duke qenë se për herë të parë merr pjesë drejtpërdrejt në mision si vendi i 30-të anëtar i NATO-s.

"Ne i përkasim një rajoni që ende përballet me sfida të ndryshme dhe kjo është arsyeja pse jemi të bindur se ekziston nevoja për një perspektivë të qartë në NATO dhe BE. Ballkani Perëndimor nuk është një ishull i izoluar. Ai është pandarë i lidhur me vlerat e Evropës Perëndimore dhe transatlantike. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë një promovuese e fortë e bashkëpunimit rajonal politik dhe mbrojtjes dhe dialogut përmes strukturimit të aktiviteteve dhe iniciativave rajonale", tha Zaev.

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska tha se pjesëtarët e Armatës nuk janë as të rinj dhe as të panjohur në misionet ndërkombëtare, por ajo që në të vërtetë ndryshon në lidhje me këtë mision dhe këtë rotacion të parë është fakti se për Maqedoninë e Veriut ky është misioni i parë si anëtare e Aleancës.

"Maqedonia e Veriut zë vendin e saj në NATO si një vend që do të thotë paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan dhe detyrimi ynë është të investojmë në stabilitetin e rajonit tonë, të kontribuojmë në stabilitetin rajonal për të ndihmuar Ballkanin të jetë një vend më i mirë, më i qetë, vend më i prosperuar për të jetuar. Ne kemi treguar se cilat janë cilësitë tona në vende shumë të largëta. Nga tani e tutje, do ta tregojmë vendin tonë të vërtetë edhe në rajon", tha Shekerinska.

Ajo tha se kontributi i Armatës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të rritet gjatë gjithë tërë vitit 2021, i cili pritet në rotacionin e ardhshëm për të rritur numrin e pjesëtarëve të ushtrisë në mbi 60 dhe nga vera e ardhshme në Misionin e KFOR-it do të kontribuojnë rreth 180 ushtarë, oficerë dhe nënoficerë të Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.