BALLKANI

Bruksel, mbahet takimi i parë i grupit punues për çështjen e targave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

“Këto takime kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme për këtë çështje”, njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Agim Sulaj  | 21.10.2021 - Përdıtësım : 22.10.2021
Bruksel, mbahet takimi i parë i grupit punues për çështjen e targave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë

Është mbajtur në Bruksel takimi i parë i grupeve punuese në nivel ekspertësh për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në këtë takim u bisedua për planin e takimeve të rregullta ndërmjet gupeve punuese të ekspertëve në muajt e ardhshëm.

Tutje bëhet e ditur se këto takime “kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme për këtë çështje, bazuar në dy parime themelore: zgjidhja të bazohet në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian, dhe çfarëdo ndryshimi potencial duhet të vlejë dhe të ndërmerret nga të dy palët”.

Ky takim i dy delegacioneve të shteteve fqinje bazohet në marrëveshjen e arritur më 30 shtator 2021, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sipas së cilës, është formuar grupi punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.​

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi nga BE-ja, Miroslav Lajçak, në një shkrim të tijin në rrjetet sociale tha se beson që nga takimet e palëve do të ketë zgjidhje konkrete dhe afatgjatë brenda një afati prej gjashtë muajsh.

Çështja e targave shkaktoi tensione në veriun e Kosovës, ku qytetarë serb protestua ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targat e përkohshme me Serbinë.

Marrëveshja e 30 shtatorit në Bruksel u arrit që të dyja shtetet gjatë hyrjes dhe qarkullimit në shtetin tjetër t’i mbulojnë me letra ngjitëse simbolet e tyre shtetërore në targat e automjeteve, e cila nisi zbatimin nga 4 tetori.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.