Agim Sulaj
22 dhjetor 2020•Përditësim: 23 dhjetor 2020
Remitencat apo paratë e kosovarëve që jetojnë në vende të Evropës kanë zbutur vështirësinë ekonomike në Kosovë që u krijuan si shkak i pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Kështu ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, i cila tha se deri në tetor të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, remitencat kanë shënuar rritje, pa marrë parasysh që, sipas tij, Kosova parashihet që këtë vit ta mbyllë me 7,2 për qind rënie ekonomike.
"Një faktor që ka ndikuar në zbutjen e efekteve të krizës kanë qenë pikërisht remitencat nga diaspora të cilat në këtë kohë shumë të vështirë për ekonominë botërore vazhduan rrjedhën drejtë ekonomisë tonë. Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor të vitit 2020 ishte 796,5 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 12,9 për qind", theksoi Mehmeti.
Sipas guvernatorit zhvillimet ekonomike globale si pasojë e pandemisë kanë ndikuar edhe në tregtinë e jashtme të vendeve ku Kosova gjatë këtij viti ka pranuar më pak import, ndërsa eksporti ka shënuar ngritje prej rreth 19 për qind.
"Zvogëlimi i kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua me një vlerë me të vogël të importit të mallrave i cili deri në tetor të vitit 2020 shënoi vlerën prej 2,63 miliardë euro apo me një rënie vjetore prej 8 për qind. Në anën tjetër eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 382,4 milion euro duke shënuar një rritje vjetore prej 19,1 për qind mbështetur kryesisht në rritjen e eksportit të metalit bazë", tha Mehmeti.
Duke folur rreth punës së BQK-së guvernatori Mehmeti tha se kanë arritur t’i përmbushin objektivat e tyre me sukses, teksa theksoi se sektori bankar në Kosovë "është shndërruar në shtyllë për bizneset dhe individët që kishin nevojë".
Sipas BQK-së, sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë tek publiku, besim i cili është shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave ku në muajin tetor 2020 vlera e përgjithshme e tyre shënoi 4,1 miliardë euro, me rritje vjetore prej 8,7 për qind.