BALLKANI

Borrell do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Joseph Borrell tha se personalisht do të shqyrtojë mundësinë e rivendosjes së dialogut, pas formimit të Qeverisë së Kosovës

Bojana Stojanovıc   | 15.01.2020
Borrell do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën

Beograd

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Joseph Borrell njoftoi sot se së shpejti do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën për të shqyrtuar personalisht opsionet për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, pas formimit të Qeverisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Borrell e tha këtë në një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, njoftoi Presidenca e Serbisë.

Vuçiç tha se Serbia, në përputhje me politikën e saj rajonale për paqe dhe stabilitet është e gatshme të vazhdojë dialogun nëse Prishtina heq "masën e njëanshme të pajustifikuar dhe të papërgjegjshme të vendosjes së taksave për mallrat nga Serbia, e cila, përveç ekonomisë serbe, kërcënon jetën e përditshme të serbëve në Kosovë”.

Ai theksoi se taksat ishin në kundërshtim me të gjitha rregullat evropiane për lëvizjen e lirë të mallrave, si dhe me detyrimet që Prishtina kishte marrë përsipër në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Në këtë drejtim, Vuçiç theksoi rëndësinë që institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së duhet të mbajnë qëndrimin se është e nevojshme që autoritetet e Prishtinës të heqin taksat për mallrat nga Serbia në mënyrë që të vazhdojnë dialogun.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell përshëndeti angazhimin e Serbisë për të ruajtur stabilitetin rajonal.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu hapat e ardhshëm në rrugën evropiane të Serbisë. Vuçiç tha se Serbia po vazhdon procesin e reformës me qëllim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın