Ekonomi, BALLKANI

Besimi: Situata ekonomike në Maqedoninë e Veriut është serioze

Besimi tha se nuk do të jetë e lehtë për shkak të seriozitetit të situatës dhe pasigurisë së madhe të epidemisë së koronavirusit

Husamedin Gina   | 16.09.2020
Besimi: Situata ekonomike në Maqedoninë e Veriut është serioze Foto: Husamedin Gina/AA

Shkup

Ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, ka deklaruar se situata ekonomike e vendit të tij është serioze për shkak të efektit të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe se ajo situatë duhet të kuptohet nga qytetarët, institucionet shtetërore dhe sektori privat, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e tij të parë për media pas marrjes së detyrës, ministri Besimi theksoi përparësitë e ministrisë në mandatin e tij katër-vjeçar.

Duke theksuar se Ministria e Financave po punon intensivisht në paketën e katërt të masave ekonomike për të forcuar likuiditetin dhe stabilitetin financiar të kompanive, për të inkujaruar konsumin privat dhe investimet, Besimi tha se nuk do të jetë e lehtë për shkak të seriozitetit të situatës dhe pasigurisë së madhe të epidemisë së koronavirusit.

"Pra, para së gjithash, situata ekonomike është serioze dhe të gjithë duhet të kuptojmë, edhe qytetarët, edhe institucionet shtetërore, edhe sektori privat. Por kjo nuk është për të trembur askënd, përkundrazi për të kuptuar seriozitetin. A ka ndonjë zgjidhje... po ka", tha Besimi.

Ai shtoi se forcat qeveritare do të përqendrohen në reduktimin e ndikimit të krizës dhe përmirësimin e ekonomisë.

"Detyra jonë është të rikthehemi në rrugën e duhur sa më shpejt të jetë e mundur, rrugë e cila do të sjellë rritje solide ekonomike, paga dinjitoze, krijimin e vendeve të punës, uljen e papunëisë, një politikë të parashikueshme të taksave dhe një të ardhme përgjithësisht evropiane, këtu para së gjithash mendoj të qytetarëve tanë", theksoi Besimi.

Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është të përmirësojë ekonominë në tremujorin e tretë dhe të kartërt të vitit, si dhe në vitin 2021 presin ringjallje të aktivitetit ekonomik në një afat të mesëm, si rezultat i rritjes së konsumit të huaj dhe eksporteve.

Ministri Besimi po ashtu njoftoi hartimin e një Ligji të ri për TVSH-në, i cili do t'u japë përfitime kompanive të orientuara drejt eksportit dhe tërheqje më aktive të investimeve të huaja direkte.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın