Autoritetet serbe i caktojnë një muaj paraburgim ish-zyrtarit policor të Kosovës, Arbnor Spahiu
Avokati i Spahiut, Arianit Koci, paralajmëroi se do të niset për në Suboticë pas këtij vendimi nga autoritetet serbe, derisa vendimin e cilësoi si të padrejtë dhe të motivuar politikisht

Prishtinë
Serbia ka caktuar një muaj paraburgim për ish-zyrtarin policor të Njësisë Speciale Operative (NJSO), Arbnor Spahiu, dy ditë pas ndalimit të tij, transmeton Anadolu.
Avokati i Spahiut, Arianit Koci, nëpërmjet rrjeteve sociale paralajmëroi se do të niset për në Suboticë pas këtij vendimi nga autoritetet serbe, derisa vendimin e cilësoi si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
Ai po ashtu tha se vendimi është marrë “pa asnjë provë apo bazë faktike”, ndërsa kërkoi që edhe institucionet e Kosovës të angazhohen direkt në këtë rast, duke kërkuar reagim publik edhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
“Ky vendim është i padrejtë, i motivuar politikisht dhe pa asnjë provë apo bazë faktike. Kërkoj angazhim të drejtpërdrejtë të shtetit të Kosovës, jo vetëm nga Ministria e Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd, por edhe reagim të qartë dhe publik nga kryeministri dhe presidentja e vendit. Sepse asnjë qytetar i këtij vendi nuk guxon të lihet vetëm, kur persekutohet padrejtësisht. Punën që nuk po e bën shtetit i Kosovës, po më duhet ta bëj unë”, ka shkruar Koci.
Gjatë ditës, edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se institucionet e Kosovës po punojnë për lirimin sa më parë të Spahiut, ish-pjesëtarit të NJSO-së, i cili u ndalua nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare të Horgoshit.
Gërvalla shprehu shqetësimin për shtimin e rasteve të ndalimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, duke bërë thirrje për kujdes për ata që kalojnë nëpër territorin e Serbisë, sidomos përfaqësuesit apo ish-përfaqësuesit e organeve të sigurisë në Kosovë.
Spahiu është marrë në pyetje nga autoritetet serbe lidhur me sulmin në Banjskë, që kishte ndodhur në shtatorin e vitit 2023, ndonëse ish-zyrtari policor ishte larguar nga Policia e Kosovës në nëntorin e vitit 2021.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.