BALLKANI

ATK grumbullon mbi 239 milionë euro të hyra gjatë këtij viti

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2019 ka inkasuar 19.5 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë në vitin 2018

Agim Sulaj  | 19.07.2019 - Përdıtësım : 21.07.2019
ATK grumbullon mbi 239 milionë euro të hyra gjatë këtij viti ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar progres në grumbullimin e të hyrave gjatë vitit 2019 në krahasim me vitin e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë gjashtë muajve të vitit 2019 ajo ka rritur të hyrat nga tatimet në 239.5 milionë euro nga 219.9 milionë euro sa ka pasur në periudhën e njëjtë të vitit 2018. Nëse llogaritet me përqindje, ky progres mund të përkthehet në 8.9 për qind rritje.

Ministri i Financave, Bedri Hamza në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj tha se rritja është për t’u vlerësuar, mirëpo duhet të bëhet edhe luftimi i informalitetit, “sepse nuk mund që dikush të paguajë taksa e dikush jo”.

Sipas tij, fokus i Ministrisë së Financave është përmirësimi i ambientit për biznes.

“Kjo rritje ka ardhur jo si rezultat i ndonjë norme të re tatimore a ndonjë tatimi të ri. Është dyfishi pothuajse i rritjes ekonomike por është rezultat i rritjes së performancës së Administratës Tatimore dhe normalisht disiplinimit të bizneseve të cilët janë duke i paguar obligimet e tyre ligjore”, tha Hamza.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj duke folur për punën gjashtë mujore të këtij viti, tha se ATK ka pasur aktivitete për mbledhjen e borxheve dhe trajtimin e tyre, ku nga aktiviteti i mbledhjes së borxheve kanë arritur të mbledhin 44.9 milionë euro, ndërsa borxhi total ndaj ATK-së aktualisht mbetet 370.7 milionë euro.

Murtezaj tregoi se gjatë gjashtëmujorit të këtij viti kanë zhvilluar disa aktivitete për konfiskimin e pasurisë së shtëpive private dhe bizneseve gjë që ka rezultuar me shumën më të madhe të mbledhur nga konfiskimet deri më tash në ATK.

“Kemi zhvilluar aktivitete intensive për mbledhjen e borxheve deri te konfiskimi i pasurisë për individë dhe biznese të cilat nuk kanë shlyer obligimet e tyre tatimore. Për këtë periudhë gjashtëmujore kemi zhvilluar rreth 155 aktivitete të procesit të konfiskimit të pasurisë, që, si rrjedhojë janë inkasuar gjegjësisht trajtuar mbi 2.7 milionë euro. Kjo ka ndodhur për herë të parë në historinë e ATK-së”, tha Murtezaj.

ATK nga synimet e radhitura në analizat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 ka ndër të tjera përmbushjen e objektivave në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), modernizimin e ATK-së përmes zëvendësimit të sistemit të teknologjisë informative, etj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın