BALLKANI

Arrestohet në Shqipëri një person për ndihmë ndaj themeluesit të platformës së kriptovalutave Thodex

Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë konfirmohet se është ndaluar shtetasi E. H., 36-vjeç, banues në Tiranë për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”

Fatjon Cuka   | 23.09.2021
Arrestohet në Shqipëri një person për ndihmë ndaj themeluesit të platformës së kriptovalutave Thodex

Tiranë

Policia e Shqipërisë ka arrestuar një shtetas shqiptar i cili akuzohet për ndihmë ndaj themeluesit dhe drejtuesit të platformës së shkëmbimit të kriptovalutave Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kërkohet me njoftim të kuq ndërkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë konfirmohet se gjatë operacionit policor të koduar “Gjurma” është ndaluar shtetasi E.H., 36-vjeç, banues në Tiranë për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.

"Pas një hetimi të nisur në vitin 2021, nga autoritetet ligjzbatuese turke dhe pas veprimeve hetimore të ndërmarra, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar një procedim penal dhe ka kryer veprime të vazhdueshme dhe të thella në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale 'Përkrahja e autorit të krimit' dhe 'Mashtrimi kompjuterik', thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, situata kriminale e ndjekur nga autoritetet, kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale nëpërmjet platformave të krijuara për këtë qëllim, sipas policisë, duke rezultuar në mashtrimin e një numri të madh shtetasish të huaj.

"Gjithashtu, nga informacionet e marra, vlera e mashtrimit që shtetasi turk F.O. (Faruk Fatih Özer) ka kryer si autori kryesor i kësaj vepre është rreth 2 miliardë dollarë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ka dyshime të forta dhe të arsyeshme se shtetasi E. H. ka kryer veprime aktive, me qëllim që të ndihmonte shtetasin turk F.O., për t’iu shmangur organeve ligjzbatuese, duke e transportuar dhe e fshehur atë", theksohet më tej në njoftimin e policisë.

Më tej theksohet se aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij "aktiviteti kriminal, evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë skemë kriminale dhe vendosjen e tyre përpara drejtësisë" dhe se materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.

- Rasti mbi Faruk Fatih Özer

Më 22 prill të këtij viti Turqia filloi zyrtarisht hetimet pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.

Në këtë kuadër u konfirmua me dokumente dhe regjistrime se pronari i kompanisë i dyshuari Faruk Fatih Özer ishte larguar jashtë vendit më 20 prill.

Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për 82 persona të dyshuar përfshirë edhe Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.

Özer u filmua nga kamerat e sigurisë teksa hynte në një hotel në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Ndërkohë vazhdojnë punimet për kapjen e Faruk Fatih Özer, pronarin e Thodex ndaj të cilit më 23 prill është lëshuar një njoftim i kuq ndërkombëtar nga Interpoli.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın