Politikë, BALLKANI

Analistët për AA: Marrëveshja e Prespës nuk mund të shfuqizohet

Sipas analistëve, kriza thelbësore mund të paraqitet nëse ka qeveri edhe në Shkup edhe në Athinë që nuk e dëshirojnë implementimin e marrëveshjes së Prespës

Admir Fazlagikj   | 12.07.2019
Analistët për AA: Marrëveshja e Prespës nuk mund të shfuqizohet

Shkup

Marrëveshja e Prespës të cilën vitin e kaluar e arritën qeveritë e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, me të cilën u zgjidh kontesti shumëdekadash për emrin do të zbatohet, ndërsa mbetet të shihet se si do të jetë interpretimi i saj nga ana e kryeministrit të ri grek Kyriakos Mitsotakis dhe qeveria të cilën ai do ta kryesojë, thonë analistët politikë për Anadolu Agency (AA).

Sipas tyre, kriza thelbësore mund të paraqitet nëse ka qeveri edhe në Shkup edhe në Athinë që nuk e dëshirojnë implementimin e marrëveshjes.

Ky është konstatimi i përgjithshëm i analistëve politikë të cilët folën për perspektivën e marrëdhënieve mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, pasi në Greqi më 7 korrik u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku erdhi deri te ndryshimi i pushtetit. Në këto zgjedhje fitoi partia politike Demokracia e Re e kryesuar nga Kyriakos Mitsotakis, duke fituar 40 për qind të votave, ndërsa humbi partia deri tani në pushtet e SYRIZA-s, e ish-kryeministrit Alexis Tsipras.

Analisti politik Petar Arsovski për AA thotë se nëse përjashtohet çështja e emrit, marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriu dhe Greqisë, tradicionalisht, çdoherë kanë qenë të shkëlqyera. Arsovski shtoi se Greqia është një nga investitorët më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë korrekte dhe asnjëherë nuk ka patur ndonjë çështje tjetër të hapur. Andaj në nivelin teknik, konsideron analisti, marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë të mira, meqë, siç thekson, Greqia mes tjerash është një nga promovuesit më të mëdhenj të anëtarësimit të shpejtë të tërë Ballkanit në Bashkimin Evropian (BE).

Por, lidhur me perspektivat e marrëdhënieve në prizmin e Marrëveshjes së Prespës dhe zbatimit të saj, Arsovski thekson se pas zgjedhjeve në Greqi në pushtet ka ardhur një garniturë që ka raport ndryshe ndaj Marrëveshjes së Prespës.

“Me ndryshimin e pushtetit në Greqi, në qeveri vjen edhe atë me një shumicë të madhe Demokracia e Re, e cila lidhur me çështjen e Marrëveshjes së Prespës, problemin me emrin dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka një narrativ më nacional romantik se paraardhësi Tsipras. Veçmas kur lidhet me politikën vendore, do të thoja nacionaliste, një narrativ më patriotik-populist. Në këtë aspekt Marrëveshja e Prespës nuk mund të shfuqizohet ose të zëvendësohet me diçka tjetër, sepse tashmë është një marrëveshje shtetërore dhe këtu Mitsotakis nuk ka shumë hapësirë për manovër”, tha Arsovski dhe shtoi:

“Ajo që pres të jetë çështje problemi është interpretimi i marrëveshjes aty ku ende ka hapësirë për interpretime. Më së shumti janë revidimi i historisë që parashihet në Marrëveshjen e Prespës, markat tregtare… këtu pres që Mitsotakis do të bëjë hapa që mund të interpretohen si marketing politik brenda në vendin e vet, që do të thotë vendosje më të ashpër të Greqisë karshi Marrëveshjes së Prespës në implementimin e saj të mëtejshëm”. 

- “Shkupi ka interes strategjik që të mbajë marrëdhënie të mira me Athinën”

Sipas Arsovskit, pushteti aktual në Shkup ka interes strategjik të mbajë marrëdhënie të mira me Athinën dhe theksoi se hapat e para të Qeverisë janë në këtë drejtim. Çështja kryesore, sipas tij, është se si ndonjë pushtet tjetër, kushtimisht thënë i djathtë, do të “luante” me Mitsotakis.

“Qeveria e tanishme majtiste në Shkup dëshiron edhe me Mitsotakis të ketë marrëdhënie të shkëlqyeshme sepse e dëshiron zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Kriza thelbësore mund të paraqitet nëse kemi dy pushtete, edhe në Shkup edhe në Athinë, që nuk e dëshirojnë implementimin e Marrëveshjes së Prespës. Atëherë kemi problem. Atëherë mund të bëhen provokime që mund ta kërcënojnë implementimin e Marrëveshjes së Prespës. Thjesht mund ta vënë në 'staus quo' dhe të mos bëjnë asgjë një kohë të gjatë që për rajonin nuk është mirë”, tha Arsovski.

Kryetari i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe analist politik, Ismet Ramadani, thotë se që marrëdhëniet e pushtetit të ri në Greqi dhe pushtetit në Maqedoninë e Veriut të jenë më të qëndrueshme, pritet involvim më i madh i Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke marrë parasysh qëndrimet e Mitsotakis-it nga më parë. 

- Dilema rreth interpretimit të Marrëveshjes së Prespës

Sipas Ramadanit, ka mendime të ndryshme lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës që kur në Greqi ndodhi ndryshimi i pushtetit, në kontekst të asaj se do të ketë pengesa lidhur me interpretimin e vet marrëveshjes.

“Por, këtu kemi rezerva, veçmas në nenin 19 të Marrëveshjes (neni 19 i drejton të dyja palët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për zgjidhjen e kontesteve të caktuara që do të paraqiteshin gjatë zbatimit të obligimeve të ndërmarra me marrëveshjen) kur kohë pas kohe ajo që nënkupton interpretim të Marrëveshjes në ndihmë mund të na dalë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ndërsa edhe Gjykata Ndërkombëtare. Por, pres që të mos vijmë në situata të tilla, sepse megjithatë me Republikën e Greqisë lidhur me personalitetet dhe ngjarjet historike, mendoj se kemi pastruar me ata, për shkak se ne u tërhoqëm nga ajo që është Maqedonia antike, Greqia antike, këtu tashmë është i qartë edhe qëndrimi ynë edhe i tyre”, tha Ramadani.

Ai më pas shtoi se: “Me siguri beteja politike dhe diplomatike do të jetë se sa ata do ta afirmojnë Maqedoninë e tyre dhe sa ne do të jemi të aftë ta afirmojmë Maqedoninë tonë të Veriut dhe këtu do të jetë ajo konkurrenca diplomatike. Shpresoj se do të zbatohet, sepse thjesht nuk mund të shfuqizohet. Çdo tentim për shfuqizim të marrëveshjes, këtu më vë dorë bashkësia ndërkombëtare, ku janë OKB-ja, BE-ja dhe SHBA-të, ashtu që në kuadër të disa marrëdhënieve normale mund të lëvizim në atë që quhet marrëdhënie me Republikën e Greqisë”.

Në rast se vjen deri te ndryshimi edhe në strukturat e pushtetit në Maqedoninë e Veriut, Ramadani thekson se as atëherë nuk do të ekzistonte interesim për të ardhur deri tek shfuqizimi i Marrëveshjes së Prespës.

Ai tha se strukturat e NATO-s, SHBA-të dhe BE-ja nuk do të lejojnë që nga zero sërish të fillojnë negociatat për emrin, që në fakt në praktikë, kjo do të thoshte dalje edhe nga NATO, sepse kushti për anëtarësim në Aleancë ishte ndryshimi i emrit.

I pyetur për atë se sa do të jetë ndikimi i Mitsotakis-it dhe qeverisë së tij mbi proceset euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, Ramadani thekson se lidhur me anëtarësimin në NATO është “punë thuajse e kryer”.

“Në një dinamikë të kënaqshme po shkon ratifikimi i protokollit, deri tani nuk ka rezerva", thekson Ramadani, duke e vlerësuar si "lajm të mirë" ratifikimin e protokollit në Kuvendin e Madh të Turqisë dhe paralajmërimet se SHBA-të më së voni deri në shtator do ta ratifikojnë të njëjtin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın