Kulturë, BALLKANI

Ambasada e Turqisë në Tiranë organizon darkë gala me receta të përzgjedhura nga kuzhina turke

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Yörük tha se “Java e Kuzhinës Turke”, është frymëzuar nga libri i titulluar "Kuzhina turke me receta shekullore”, botuar nën kujdesin e Zonjës së Parë të Republikës së Turqisë, Emine Erdoğan

Fatjon Cuka  | 24.05.2022 - Përdıtësım : 26.05.2022
Ambasada e Turqisë në Tiranë organizon darkë gala me receta të përzgjedhura nga kuzhina turke Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë ka organizuar një darkë gala me receta të përzgjedhura nga libri “Kuzhina turke me receta shekullore”, në kuadër të “Javës se Kuzhinës Turke”, që mbahet nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Turqisë dhe udhëheqjen e Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Në darkën e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë, Elisa Spiropali, mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, drejtori i Institutit "Yunus Emre" - Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, drejtori i Instituti "Yunus Emre" - Shkodër, Zafer Kıyıcı, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë, drejtues të bashkive dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Yörük tha se “Java e Kuzhinës Turke”, është frymëzuar nga libri i titulluar "Kuzhina turke me receta shekullore”, botuar nën kujdesin e Zonjës së Parë të Republikës së Turqisë, Emine Erdoğan.

"Ushqimi është një mjet i rëndësishëm për të bashkuar kulturat e ndryshme. Ushqimi është gjithashtu një lehtësues i madh diplomatik. Ndërveprimi rreth një tavoline darke mund të çojë në një nivel më të madh të mirëkuptimit dhe ndjeshmërisë midis njerëzve. Kjo është një nga arsyet kryesore që takimi ynë do të jetë një mjedis i vlefshëm për afrimin kulturor midis kombeve", tha Yörük.

Ambasadori turk tha se nuk është rastësi që Shqipëria është një nga vendet e para të përcaktuara nga qeveria turke për të nisur javën e kuzhinës tradicionale turke, duke shtuar se "Miqësia jonë 600-vjeçare na ka shtyrë të zhvillojmë një mjedis kulturor me dallime delikate."

"Miqtë tanë shqiptarë sonte do të kenë mundësinë të shijojnë si versionin turk të trashëgimisë sonë të përbashkët gastronomike, ashtu edhe shijen unike të Turqisë. Sa për miqtë tanë anembanë globit, shpresoj se do të shijojnë natyrën e përjetshme dhe të ekuilibruar të kuzhinës turke që ju është sjellë sonte pas një udhëtimi shekullor", u shpreh ambasadori turk.

Më pas gjatë darkës gala, u shfaq edhe një video-mesazh i Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdoğan.

Në darkën gala foli edhe mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, e cila tha se ka qenë pjesë edhe projektit të gastrodiplomacisë turko-shqiptare, i cili ofroi trajnim profesional rreth kuzhinës turke për gratë shqiptare, duke shtuar se "ajo që realizuam në këtë projekt është një hap i madh për të siguruar bashkëjetesën e kuzhinës shqiptare dhe turke."

"Ushqimi nuk është vetëm një produkt që fokuson vetëm shëndetin, por edhe një mjet i ndërveprimit kulturor dhe forcon lidhjet midis njerëzve të ndryshëm nga kultura të ndryshme. Si një mastershefe dua të falënderoj zonjën e parë Emine Erdoğan për frymëzimin rreth kuzhinës sonë në botë", tha Demir.

Ambasadori i Turqisë, Yörük, i dorëzoi mastershefes turke, Demir, një pllakatë mirënjohjeje.

Duke u nisur nga libri “Kuzhina turke me receta shekullore”, nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Turqisë dhe udhëheqjen e Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdoğan, nga Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit, në datat 21-27 maj 2022 organizohet "Java e Kuzhinës Turke", ku përfaqësitë diplomatike të Republikës së Turqisë organizojnë aktivitete në shumë vende të botës.

Sipas Ambasadës së Turqisë në Tiranë, realizimi i këtyre aktiviteteve mundësohet nga “Yıldırım Group of Companies” me aktivitete në 54 shtete të ndryshme të botes në fushën e minierave dhe metaleve, menaxhimit të porteve dhe transportit detar dhe energjisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın