Kulturë, BALLKANI

Ambasada e Turqisë në Tiranë organizon aktivitetin “Ëmbëlsirat dhe çaji tradicional turk”

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e ambasadorit të Turqisë në Tiranë, tha se në kuzhinën tradicionale turke ëmbëlsirat i nënshtrohen klasifikimeve të ndryshme sipas mënyrës së gatimit dhe përmbajtjes së tyre

Fatjon Cuka   | 24.05.2022
Ambasada e Turqisë në Tiranë organizon aktivitetin “Ëmbëlsirat dhe çaji tradicional turk” Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Ambasada e Turqisë në Tiranë ka organizuar aktivitetin me temë “Ëmbëlsirat dhe çaji tradicional turk”, në kuadër të “Javës se Kuzhinës Turke”, që mbahet nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Turqisë dhe udhëheqjen e Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, bashkëshortja e ambasadorit turk, Ayşegül Erdal Yörük, mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, ish-zv/kryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e ambasadorit të Turqisë në Tiranë, tha se në kuzhinën tradicionale turke ëmbëlsirat i nënshtrohen klasifikimeve të ndryshme sipas mënyrës së gatimit dhe përmbajtjes së tyre.

Ajo shtoi se ëmbëlsirat "qumështore" dhe njëkohësisht “sherbeti” përbëjnë grupin më të madh, por sipas saj, ka njëkohësisht edhe hallva, ëmbëlsira të gatuara me sheqer, mjaltë dhe ëmbëlsira frutash.

"Ëmbëlsira e cila është një nga elementët e pandashme të kuzhinës tradicionale turke ka gjetur vendin e merituar edhe në librin ‘Kuzhina turke me receta shekullore’ përgatitur nën kujdesin e veçantë të zonjës së parë të Turqisë, Emine Erdoğan, bashkëshortja e presidentit tonë. Në librin në fjalë thuhet se pasuria e recetave të ëmbëlsirave që i përket kuzhinës turke në fakt i detyrohet kulturës së kuzhinës osmane, sepse nisur nga rëndësia e veçantë që i kushtohej ëmbëlsirës në kulturën osmane, gjithnjë në kuzhinat e sarajeve ekzistonte një njësi, një dhomë e veçantë e quajtur ndryshe vendi ku gatuheshin, përgatiteshin ëmbëlsirat speciale", tha ajo.

Ayşegül Erdal Yörük theksoi se ëmbëlsira është shpeshherë ushqimi i parë simbolik i disa momenteve më të veçanta, si në ceremonitë e lindjes, fejesës, martesës, apo dhe ceremoni mortore. “Me fjalë të tjera, jeta tek turqit fillon dhe mbaron me ëmbëlsirë”, u shpreh ajo.

Gjatë aktivitetit u prezantuan dhe servuan për të pranishmit ëmbëlsirat turke, si lloje të ndryshme të bakllavave, ashure, revani, sheqerpare, hallvë, hallvasi dhe ëmbëlsira të tjera përgatitura nga mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, ëmbëlsira që u shoqëruan me çajin turk.

Duke u nisur nga libri “Kuzhina turke me receta shekullore”, nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Turqisë dhe udhëheqjen e Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdoğan, nga Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit, në datat 21-27 maj 2022 organizohet "Java e Kuzhinës Turke", ku përfaqësitë diplomatike të Republikës së Turqisë organizojnë aktivitete në shumë vende të botës.

Në kuadër të aktiviteteve në Tiranë është prezantuar kuzhina tradicionale turke, si dhe elementë të kulturës turke me veshjet tradicionale osmane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın