BALLKANI

20 vjet nga masakra e Krushës së Madhe, familjarët ende në kërkim të të zhdukurve

Fshati Krushë e Madhe ishte dëshmitar i njërës prej tetë masakrave më të mëdha të Kosovës, ku gjatë tre ditëve sa zgjati masakra u vranë dhe masakruan 241 persona, 64 prej të cilëve janë ende të zhdukur

26.03.2019 - Përdıtësım : 27.03.2019
20 vjet nga masakra e Krushës së Madhe, familjarët ende në kërkim të të zhdukurve ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

AGIM SULAJ

Marsi i vitit 1999 për shumë kosovarë rikthen ndjenjën e gëzimit për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, por edhe për shumë të tjerë, kujtimet e tyre për më të afërmit që i humbën gjatë luftës.

Në mars të vitit 1999 ishin intensifikuar luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, që kishin filluar një vit më parë, e që synonin pavarësimin e Kosovës nga Jugosllavia e atëhershme.

Komuniteti ndërkombëtar druante nga ripërsëritja e masakrave që më herët ishin shënuar në luftën e Bosnjë e Hercegovinës, andaj aleanca veriatlantike më 24 mars të vitit 1999 vendosi që të filloj bombardimet ndaj ish-Jugosllavisë, për të “ndërprerë spastrimet etnike dhe vrasjen e civilëve shqiptarë” që kryheshin nga forcat e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë.

Por, një ditë pas fillimit të bombardimeve, fshati Krushë e Madhe që ndodhet rreth 70 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, ishte dëshmitar i njërës prej tetë masakrave më të mëdha të Kosovës, ku gjatë tre ditëve sa zgjati masakra u vranë dhe masakruan 241 persona, 64 prej të cilëve janë ende të zhdukur dhe kërkohen prej familjarëve.

Në këtë fshat, çdo mars mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore për të masakruarit.

- Të afërmit e viktimave kërkojnë që të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Një ndër viktimat ishte edhe djali i 77-vjeçarit Bajram Nalli, i cili duke folur për Anadolu Agency (AA) shprehet se vetë u bë dëshmitar i masakrimit të djalit të tij dhe dhjetëra të tjerëve.

Nalli thotë se më 24 mars të vitit 1999, forcat serbe kishin zënë rob rreth 700 persona nga fshati Krushë e Madhe, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.

Si shkak i kësaj, Nalli thotë se gjurmët e të birit të tij kanë mbetur të pa-identifikuara, sepse trupi i tij është karbonizuar.

20 vjet pas kësaj masakre, kur ende nuk janë gjetur 64 persona nga fshati Krushë e Madhe, Nalli thotë se nuk është bërë sa duhet nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të tyre.

Edhe kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, kërkon nga institucionet vendore dhe të huaja në Kosovë të zbardhin fatin e të pagjeturve.

“Normal asnjë krushjan nuk është i kënaqur, na mungojnë edhe 64 (të zhdukur)”, tha Hoti.

Banorët e fshatit Krushë e Madhe në shenjë përkujtimi i kanë hapur varret për të gjithë të pagjeturit, por këto varre vazhdojnë të jenë të zbrazëta.

Gjithashtu, në përkujtimin e gjithsej 241 të vrarëve, janë mbjellë po aq fidanë të pishës në vendin ku supozohet se disa prej tyre u pushkatuan. Po ashtu, po bëhen gati edhe fotografitë e secilit prej 241 të rënëve për t’u vendosur në një mur afër varrezave të dëshmorëve.

- Masakra e Krushës së Madhe

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë serbe anekënd Kosovës. Gjatë këtyre ditëve gjithashtu u dogjën edhe 850 shtëpi private në këtë fshat.

NATO përfundoi fushatën e bombardimeve më 11 qershor të vitit 1999, pasi Millosheviç pranoi kushtet e tërheqjes së ushtrisë jugosllave dhe KFOR-it në Kosovë. Gati një dekadë më vonë, Kosova shpalli pavarësinë dhe u njoh nga më shumë se 100 shtete anëtare të OKB-së.

Sipas një studimi të përbashkët të kryer në vitin 2008 nga Qendra Ligjore Humanitare (Humanitarian Law Center), Komisioni Ndërkombëtar i Njerëzve të Humbur dhe nga Komisioni i Njerëzve të Humbur të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë u vranë 13.421 persona, respektivisht nga 1 janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Nga ky numër, thuhet në studim, 10.533 ishin shqiptarë, 2.238 serbë, 126 romë, 100 boshnjakë dhe të tjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.