BALLKANI

"141 shtetas afganë rrugës nga Kosova për në SHBA"

I ngarkuari amerikan me punë në Kosovë tha se 141 shtetasit afganë janë 30 për qind e numrit të përgjithshëm të shtetasve afganë që u strehuan në Kosovë me ndihmën e autoriteteve shtetërore që nga fundi i gushtit

Agim Sulaj   | 21.10.2021
"141 shtetas afganë rrugës nga Kosova për në SHBA"

Prishtinë

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka bërë të ditur se 141 shtetas afganë të cilët qëndruan në Kosovë për disa javë pas largimit të tyre nga Afganistani, tani janë rrugës për në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Giacobbe nëpërmjet rrjeteve sociale tha se 141 shtetasit afganë janë 30 për qind e numrit të përgjithshëm të shtetasve afganë që u strehuan në Kosovë me ndihmën e autoriteteve shtetërore që nga fundi i gushtit.

“Mirënjohës presidentes Vjosa Osmani dhe kosovarëve për pritjen e përkohshme të udhëtarëve afganë. Prioriteti ynë është plotësimi i kërkesave në mënyrë që mysafirët e Camp Liya-s të mund të largohen nga Kosova dhe ta fillojnë jetën e tyre të re. 141 afganë, 30 për qind e atyre që mbërritën, tashmë e kanë bërë këtë dhe janë rrugës për në SHBA”, ka shkruar Giacobbe.

Qeveria e Kosovës më 16 gusht ka miratuar kërkesën që i është bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme e saj për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Shtetasit afganë të cilët erdhën në Kosovë ishin punëtorë të aleatëve të NATO-s për të cilët, presidentja kosovare Vjosa Osmani tha se “kanë nevojë për mbrojtje më shumë sesa kurrë”.

Në grupet e të ardhurve nga Afganistani kishte burra gra dhe fëmijë të moshave të ndryshme. Ata u vendosen në ish-kampin Bechtel-Enka i cili ndodhet përballë bazës ushtarake amerikane Bondsteel në qytetin e Ferizajt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın