BALLKANI

TIKA vazhdon mbështetjen për kulturën dhe të rinjtë në Kosovë

“TIKA, që nga viti 2004, ka realizuar mbi 850 projekte në Kosovë. Çdo vit zbatojmë 50–60 projekte dhe ky numër do të vazhdojë të rritet”, tha kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren

Agim Sulaj, Eren Beksaç  | 11.11.2025 - Përdıtësım : 11.11.2025
 TIKA vazhdon mbështetjen për kulturën dhe të rinjtë në Kosovë Foto: Erkin Keçi/AA

Prizren

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), në bashkëpunim me Shoqatën e të Diplomuarve në Turqi (TUMED), ka ofruar mbështetje për të rinjtë në Kosovë përmes programeve arsimore dhe ka kontribuuar në ruajtjen e kulturës turke duke dhuruar pajisje muzikore, veshje folklorike dhe pajisje teknike për Shoqatën e Kulturës dhe Artit Turk “Dogru Yol”, raporton Anadolu.

Në qytetin e Prizrenit u mbajt ceremonia e ndarjes së certifikatave me rastin e përfundimit të programit “Arsimi profesional në fushën e teknologjisë për të rinjtë në Kosovë”, i zhvilluar në bashkëpunim mes TIKA-s dhe TUMED-it.

Në ceremoni morën pjesë kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunc Angili, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), njëherësh ministër i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, nënkryetari i Drejtorisë për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike (YTB), Murat Kazancı, koordinatorja e TIKA-s në Prishtinë, Fulya Aslan, kryetari i TUMED-it, Semih Bilurdagi, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në Kosovë dhe shumë të ftuar të tjerë.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, theksoi se që nga themelimi i saj, TIKA ka shtrirë dorën e mëshirës, mendimin strategjik dhe kapacitetin institucional të Turqisë në vendet mike dhe vëllazërore.

“TIKA, që nga viti 2004, ka realizuar mbi 850 projekte në Kosovë. Çdo vit zbatojmë 50–60 projekte dhe ky numër do të vazhdojë të rritet”, tha Eren.

Ai theksoi gjithashtu se TIKA ka marrëdhënie shumë të mira me institucionet e vendeve ku zhvillon aktivitete zhvillimore dhe nënvizoi se Turqia, me të gjitha institucionet e saj, do të vazhdojë të shërbejë për popullin e Kosovës si vend mik dhe vëllazëror.

Ambasadori Angili falënderoi TIKA-n për mbështetjen që ajo ofron në çdo cep të Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë e projekteve që fuqizojnë ekonomikisht të diplomuarit në Turqi.

“Kjo mbështetje është shumë e rëndësishme, sepse të diplomuarit në Turqi shërbejnë si urë lidhëse mes Turqisë dhe Kosovës,” theksoi ai.

Ndërkaq, ministri Damka kujtoi se ai vetë ka qenë ndër studentët e parë kosovarë që kanë studiuar me bursë në Turqi.

“Veçanërisht gjatë viteve 90, kur për shkak të luftërave në Ballkan shumë prej nesh nuk kishim mundësi të studionim, këto dyer që u hapën për arsimin turqisht ishin një mundësi e veçantë. E shfrytëzuam atë mundësi dhe arritëm deri këtu”, tha ai.

Ceremonia përfundoi me ndarjen e certifikatave për 26 kursantët pjesëmarrës.

Në anën tjetër, me rastin e dhurimit të pajisjeve muzikore, veshjeve folklorike dhe pajisjeve të tjera për Shoqatën e Kulturës dhe Artit Turk “Dogru Yol”, e cila ushtron veprimtarinë e saj pa ndërprerje që nga viti 1951, u mbajt një ceremoni në selinë e saj në Prizren.

Edhe në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunc Angili, ministri Fikrim Damka, koordinatorja e TIKA-s në Prishtinë, Fulya Aslan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në Kosovë.

Në fjalën e tij, Eren u shpreh se mbështetja e TIKA-s për Shoqatën “Dogru Yol”, e cila prej shumë vitesh kontribuon në ruajtjen e kulturës turke në Kosovë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Përfaqësuesit e shoqatës falënderuan TIKA-n për mbështetjen e ofruar ndërsa ceremonia u mbyll me ndarjen e mirënjohjeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın