BALLKANI

“Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë”

Në Shqipëri organizohet konferenca mbi shërbimet e inspektimit të drejtësisë të vendeve të Bashkimit Evropian (BE), me temë “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”

Fatjon Cuka  | 24.06.2022 - Përdıtësım : 27.06.2022
“Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë” Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në Shqipëri po mbahet konferenca ndërkombëtare mbi shërbimet e inspektimit të drejtësisë së vendeve të Bashkimit Evropian (BE), me temë “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”, me fokus diskutimet mbi rolin e këtyre shërbimeve në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë marrin pjesë përfaqësues të shërbimeve të inspektimit institucioneve të sistemit të drejtësisë të Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës, si dhe Shqipërisë.

"Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë mbështetjen për pavarësinë e sistemit të drejtësisë"

Në hapje të konferencës mbajti një fjalë përshëndetëse kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila tha se interesi i publikut për qeverisjen e sistemit të drejtësisë është i lidhur ngushtë me perceptimin e qytetarëve për vetë sistemin.

Ajo theksoi se Shqipëria vendosi të ndërmarrë reformën në drejtësi, sipas saj, si e vetmja rrugë e pastrimit të sistemit dhe garantimit të dhënies së drejtësisë për qytetarët.

"Sot, gjashtë vjet më vonë, kemi, padyshim, një realitet tjetër. Tipari më i rëndësishëm i këtij realiteti është rrëzimi i disa miteve të sistemit dhe për sistemin e drejtësisë dhe progresi drejt një sistemi drejtësie, si një pushtet i pavarur në sistemin demokratik", u shpreh Nikolla.

Nikolla theksoi se Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur dhe do të vazhdojë mbështetjen për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e organeve të drejtësisë, sipas saj, në mënyrë të veçantë Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, me burimet e nevojshme financiare, njerëzore e logjistike.

"Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë"

Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë, Artur Metani, tha se pavarësia e magjistratëve mbetet një çështje që u përket të gjitha vendeve dhe sipas tij ky është standard i një dimensioni të përbashkët të shoqërive dhe një standard ndërkombëtar.

"Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por nga ana tjetër edhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë. Të dyja nuk mund të ecin, përveçse bashkë. Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq me demokratikisht ecën shoqëria. Të dyja këto standarde, cilësia e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve janë prioritet i të gjitha vendeve", tha Metani.

Ai tha se gjetja e balancës midis interesit publik për administrimin e drejtësisë nga një anë dhe pavarësisë së magjistratëve nga ana tjetër, mbetet një sfidë permanente “sepse pavarësia e magjistratëve dhe përgjegjshmëria e tyre, janë vlera dinamike”.

Metani shtoi se Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë.

Konferenca ndërkombëtare dyditore organizohet nga Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Drejtësisë (RESIJ) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.