BALLKANI

“Shqipëria është partner shumë i rëndësishëm strategjik i Turqisë"

“Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm strategjik i Turqisë dhe kontributi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin nuk varen nga madhësia e vendit, por nga vendosmëria për këto kauza, tha ministri Çavuşoğlu

Fatjon Cuka   | 12.02.2020
“Shqipëria është partner shumë i rëndësishëm strategjik i Turqisë"  ( Fatih Aktaş - Anadolu Agency )

Tiranë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri është takuar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryediplomati turk, sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë i transmetoi kryeparlamentarit Ruçi përshëndetjet e përzemërta vëllazërore të Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe Kryetarit të Kuvendit të Turqisë, Mustafa Şentop.

“Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm strategjik i Turqisë dhe kontributi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin nuk varen nga madhësia e vendit, por nga vendosmëria për këto kauza. Ne do të mbështesim rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat dhe investimet prej 3.5 miliardë dollarë në Shqipëri do të pasohen nga të tjera në të ardhmen. Turqia mbështet fuqimisht rritjen e rolit të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore sepse i kushton një vëmendje e kujdes të veçantë zhvillimeve në rajon", është shprehur ministri Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu ka theksuar se Turqia do të marrë pjesë në mbledhjen e donatorëve dhe do të nxisë vendet pjesëmarrëse për rritjen e kontributeve të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e rindërtimit, ndërsa ka shtuar se ndërtimi prej Turqisë i 500 njësive të banimit për familjet e pastreha prej tërmetit të 26 nëntorit do të fillojë në fund të muajit shkurt.

Gjithashtu Çavuşoğlu, ka theksuar se përpjekjet dhe kontributi i Turqisë për njohjen dhe rritjen e rolit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të rriten”.

Sipas njoftimit, gjatë takimit Ruçi vuri në dukje se marrëdhëniet politike midis të dy vendeve janë të shkëlqyera dhe zhvillohen në një mirëkuptim të plotë.

"Dialogu politik, marrëdhëniet miqësore, shkëmbimet e shumta e intensive kanë fuqizuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimit institucional në të gjitha fushat dhe nivelet. Bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe investimet turke në Shqipëri po rriten. Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur dhe do të mbështesë fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat", ka theksuar Ruçi.
Ruçi është shprehur se Shqipëria i është mirënjohëse Turqisë për mbështetjen e fuqishme të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, sipas tij, duke kontribuar si një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe Shqipërisë në këto përpjekje.

Ministri i Jashtëm turk gjatë vizitës në Shqipëri u takua edhe me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndërsa mes dy vendeve u nënshkruan edhe disa marrëveshje.











Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın