BALLKANI, Koronavirusi

Shqipëri, mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare mbi masat kundër koronavirusit

Çështjet e diskutuara ishin mbi masat për përballimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19, përballimin e situatës ekonomike dhe masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptarë

Fatjon Cuka   | 25.03.2020
 Shqipëri, mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare mbi masat kundër koronavirusit Burimi: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Nën drejtimin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, është zhvilluar sot mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nëpërmjet një video-konference, në lidhje me masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në mbledhje morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministra dhe kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Çështjet e diskutuara ishin mbi masat e Qeverisë së Shqipërisë për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19, përballimin e situatës ekonomike dhe masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptarë, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit të vendit.

Sipas njoftimit, presidenti Meta “shprehu besimin se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, në interesin me të mirë të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”.

Më tej thuhet se kryeministri Rama dhe ministrat informuan për masat e marra dhe për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi të zhvillimit të situatës.

Gjithashtu theksohet se kryeparlamentari Ruçi shprehu gatishmërinë për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë, ndërsa kryetari i PD-së, Basha, shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi.

“Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, dhe pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë situatë të vështirë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë”, theksohet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se numri i rasteve të konfirmuar me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është 146, përfshirë edhe 5 personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa 17 prej tyre janë shëruar.

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak të koronavirisut, ku sipas Kushtetutës së Shqipërisë mund të vendosen masa të jashtëzakonshme.

Institucionet në Shqipëri aktualisht kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
















Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın