BALLKANI

“Serbia gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen e Bjellorusisë”

Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Lukashenko tha se Minsku është ende i gatshëm ta mbështesë Serbinë në të gjitha fushat

Bojana Stojanovic  | 03.12.2019 - Përdıtësım : 03.12.2019
“Serbia gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen e Bjellorusisë” ( Miloş Mişkov - Anadolu Agency )

Beograd

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, sot në Beograd tha se vendi i tij gjithmonë në mënyrë aktive bashkëpunon me Serbinë në organizata ndërkombëtare dhe se nuk e ndryshon qëndrimin e tij për sovranitetin territorial të Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Lukashenko tha se Minsku është ende i gatshëm të mbështesë Serbinë në të gjitha fushat.

"Ne bashkëpunojmë në mënyrë aktive në organizata ndërkombëtare dhe qëndrimi ynë për sovranitetin territorial të vendit tuaj nuk ndryshon", tha Lukashenko.

Sipas tij, Bjellorusia do të bëjë për Serbinë atë që mundet në çdo sferë.

"Nga ana tjetër, ne llogarisim në mbështetjen e Serbisë për çështje me rëndësi për ne", tha ai.

Lukashenko shtoi se Bjellorusia mbështet marrëveshjen e Serbisë me Bashkimin Euroaziatik, por gjithashtu respekton dëshirën e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), me idenë se Serbia nuk duhet shumë të shpresojë për t'u bërë anëtare e BE-së.

Presidenti i Bjellorusisë sqaroi se Serbia, e cila, sipas tij, është e mbushur me "njerëz të zgjuar dhe të shkathët", do të jetë në gjendje të përballojë ultimatume nëse duhet të zgjedhë midis BE-së dhe Bashkimit Euroaziatik.

"Nëse merrni ultimatume, varet nga ju, por unë jam i sigurt se kjo do të zgjidhej vetëm në një mënyrë, ju jeni njerëz të zgjuar dhe të shkathët, nëse është më mirë që të bashkëpunoni me BE-në, ju do ta bëni atë, ndërsa nëse është më mirë me Bashkimin Euroaziatik, atëherë do të shkoni në atë anë", tha ai.

"Është një vendim normal dhe doemos duhet të keni marrëdhënie të mira me fqinjët tuaj, çfarë do qofshin fqinjët tuaj", shtoi ai.

Duke folur për ushtrinë, Lukashenko tha se Serbisë i duhet një ushtri e lëvizshme dhe e fortë që mund të operojë.

Ai theksoi kontributin domethënës të Vuçiçit në zhvillimin e dialogut me Bjellorusinë, sepse, siç tha, "pa përpjekjet e tij, ne nuk do të kishim nivelin e tanishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve", duke shtuar se në themelin e miqësisë së dy vendeve dhe të ardhmes së përbashkët gjenden lidhje historike, shpirtërore dhe kulturore.

"Në Bjellorusi gjithmonë mund të llogarisni në mbështetjen tonë në të gjitha fushat dhe në të gjitha drejtimet", shtoi Lukashenko.

Ndërkaq, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se është nder i madh ta mirëpresë Lukashenkon, duke thënë se ai ishte lideri i vetëm botëror që erdhi për të mbështetur Serbinë në vitin 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s.

"Falënderimet zakonisht zgjasin për një kohë të shkurtër. Ne jemi dëshmi se jo gjithmonë duhet të jetë e tillë dhe se kjo mirënjohje e popullit serb do të mbetet përgjithmonë, si dhe respekti që keni dashur, dëshiruar dhe guxuar të tregoni mbështetje për Serbinë atëherë" tha ai, duke vlerësuar se "populli serb dhe bjellorus janë popuj vëllazërorë".

Ai tha se ka pasur bisedime të mira dhe të frytshme me Lukashenkon për pothuajse të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha sferat.

"Shumë nga ata mund të mësoja për çështjen dhe mënyrën e formimit të ushtrisë moderne. Serbia mund të mësojë shumë nga Bjellorusia", tha ai.

Vuçiç në këtë aspekt njoftoi reforma shtesë të Ushtrisë së Serbisë me qëllim që ta bëjnë atë edhe më të lëvizshme dhe më të shpejtë, por theksoi se kjo nuk do të thotë që do të blihen armë të reja.

Vuçiç po ashtu tha se edhe Serbia edhe Bjellorusia u përkasin vendeve që janë krenarë për pavarësinë e tyre.

"Në lidhje me këtë, Bjellorusia gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen e Serbisë, pasi gjithmonë e kemi ditur që në lidhje me Kosovën dhe çështje të tjera, ne mund të presim mbështetje nga Bjellorusia", përfundoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.