BALLKANI

“Për integrimin evropian duhet një dialog gjithëpërfshirës”

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian të Shqipërisë, Rudina Hajdari, tha gjatë fjalës në hapje të takimit se duhet një dialog gjithëpërfshirës për çështjet që lidhen me integrimin evropian

Fatjon Cuka   | 18.09.2019
“Për integrimin evropian duhet një dialog gjithëpërfshirës” (Olsi Shehu - Anadolu Agency)

Tiranë

Në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme është diskutuar në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit evropian, me fokus çështjet që lidhen me kuadrin nënligjor dhe përgatitjet e administratës publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja e këtij këshilli, Rudina Hajdari, tha gjatë fjalës në hapje të takimit se duhet një dialog gjithëpërfshirës për çështjet që lidhen me integrimin evropian.

"Qeveria dhe opozita kanë një rol goxha të rëndësishëm për të realizuar këtë objektiv madhor, por edhe institucionet e pavarura kanë rolin e tyre në garantimin e të drejtave të njeriut. Realizimi i të drejtave të njeriut është një nga prioritetet thelbësore për integrimin evropian, por edhe për vetë ekzistencën e Bashkimit Evropian. Të ndash të njëjta vlera me BE-në nuk do të thotë thjesht të përafrosh legjislacionin evropian, por edhe të garantosh në praktikë të njëjtat vlera", tha Hajdari.

Ajo theksoi se në thelb rekomandimet e Komisionit Evropian kanë të bëjnë me fuqizimin e institucioneve të pavarura dhe kuadrin ligjor në përputhe me legjislacionin evropian.

Ndërsa zv/ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Sokol Dedja, tha se procesi i negociatave për anëtarësimin e vendit në BE është një proces transformimi.

"Ky diskutim është shumë i rëndësishëm, sepse procesi i integrimit evropian duhet të jetë një proces bashkues, jo vetëm për klasën politikën, por për shoqërinë në tërësi. Vlen të theksohet se procesi i negociatave është një proces transformimi, modernizues i vendit, për administratën publike, për shoqërinë në tërësi dhe për aktivitetin ekonomik", theksoi Dedja.

Ai u shpreh se puna në lidhje me procesin e integrimit është përqendruar në përgatitjen e strukturës institucionale për zhvillimin e negociatave.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın