BALLKANI

“OBSH mbështet masat në Shqipëri për parandalimin e depërtimit të koronavirusit”

“Shqipëria ka ndërmarrë masa të cilat ne si Zyrë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i mbështesim plotësisht, pavarësisht se vendi nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19 dhe rreziku është i ulët”, është shprehur një zyrtar i OBSH-së

Fatjon Cuka   | 14.02.2020
“OBSH mbështet masat në Shqipëri për parandalimin e depërtimit të koronavirusit”

Tiranë
Drejtori i Programit të Emergjencave Shëndetësore për Ballkanin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë(OBSH), Abebayehu Mengustu, gjatë një vizite në Tiranë deklaroi se OBSH do të ofrojë ndihmë teknike dhe mbështetje për mjetet mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme, për parandalimin e depërtimit të koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, thuhet se OBSH mbështet masat e marra nga Shqipëria për parandalimin e depërtimit të koronavirusit.

Zyrtari i OBSH-së ka realizuar një vizitë në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Tiranë, për të ndjekur nga afër masat e marra në nivelin e parë të shërbimit.

“Shqipëria ka ndërmarrë masa të cilat ne si Zyrë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i mbështesim plotësisht, pavarësisht se vendi nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19 dhe rreziku është i ulët. Zyra e OBSH-së do të japë mbështetje teknike për të gjitha vendet e Ballkanit dhe mbështetje sa i takon mjeteve mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme”, është shprehur Mengustu.

Ndër masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është trajnimi deri tani i 475 punonjësve të sistemit shëndetësor, ndërsa sipas njoftimit nuk ka asnjë rast në Shqipëri të personave të prekur me koronavirus.

Numri i vdekjeve në Kinë nga koronavirusi i ri, zyrtarisht i njohur si COVID-19, ka arritur në 1.380, ndërsa numri i konfirmuar i të prekurve nga ky virus vdekjeprurës ka arritur në 63.851.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpërthimin e këtij virusi e ka shpallur emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın