BALLKANI

Në vendet e rajonit falet namazi i Kurban Bajramit

Namazi i Kurban Bajramit është falur nëpër xhamitë në Sarajevë, Zagreb, Podgoricë dhe Beograd

Ekip   | 11.08.2019
 Në vendet e rajonit falet namazi i Kurban Bajramit ( Elman Omiç - Anadolu Agency )

Sarajevë/Zagreb/Podgoricë/Beograd

Në praninë e një numri të madh të besimtarëve mëngjesin e sotëm në të gjitha qendrat kryesore të vendeve të rajonit si dhe më gjerë me faljen e namazit të Kurban Bajramit filloi një nga festat më të mëdha të muslimanëve, Kurban Bajrami, raporton Anadolu Agency (AA).

Manifestimi qendror i faljes së namazit të Kurban Bajramit në Sarajevë u mbajt në Xhaminë e Husrev Beut, ndërkaq namazit i priu Reisu-l-ulema i Bosnje e Hercegovinës, Husein ef. Kavazoviç, i cili në hutben e Bajramit rikujtoi se të gjithë njerëzit janë të lidhur me lidhje familjare, pavarësisht distancës në shekuj dhe largësisë gjeografike, ngjyrës së lëkurës dhe larmisë së gjuhëve dhe zakoneve.

"Pas besimit në Zot, si forma më e lartë e devotshmërisë, besimi në mos shkelje të vëllazërisë njerëzore, ashtu siç e kërkoi Allahu nga bijtë e Izraelit, është një aksiomë e besimit dhe njerëzore, vlerë para së cilës qëndron e heshtur dhe e përkulur shekujt e krimeve dhe çrregullimeve të përhershme njerëzore. Sot, kur përsëri në mes nesh duan të imponojnë teoritë raciste dhe ideologjitë dhe kur dallimet fetare duan t'i përdorin për armiqësi të ndërsjellë dhe akuza, është e domosdoshme që njerëzit e fesë të ngrenë zërin dhe të paralajmërojnë për pasoja shkatërruese të dukurive të tilla", ka thënë Kavazoviç.

Në fund Kavazoviç bëri thirrje për përpjekje që të arrihen të mirat e kësaj dhe botës së amshueshme, të jenë të vetëdijshëm se nuk ka shpërblim pa angazhim dhe vepra të mira.

Këtë vit manifestimi qendror me rastin e faljes të Kurban Bajramit në Podgoricë u mbajt në Xhaminë Osmanagiç, ku namazit i priu zëvendës reisi Rahman Kaçar. Ai në hutben e Bajramit porositi se muslimanët të cilët therin kurban të keqen ta kthejnë me të mirë.

"Ai në këtë mënyrë përçon mesazhin se është krijesë e paqes dhe harmonisë dhe të njëjtën ta presë nga të tjerët. Allahu xh.sh. ka thënë: ‘Nuk do të meritoni shpërblimin deri sa të mos e shpërndani atë që më së shumti e doni’. Njeriu mund të gjejë shpëtimin vetëm në besim. Pas namazit të Bajramit, ne therrim kurbanët për të mbrojtur fëmijët tanë. Këto janë ditë gëzimi dhe lumturie, le të jemi të vendosur të punojmë për të mirën e përbashkët. Kjo është një mundësi për muslimanët që të forcojnë lidhjet e tyre. Ju ftoj të tregoni fisnikëri në ditët e Bajramit. Le t'ju ofrojmë ndihmë atyre që kanë nevojë, ashtu që të ndihmohemi nga Ai për ndihmën e të Cilit të gjithë jemi nevojtarë", tha Kaçar.

Muslimanët në Kroaci falën namazin e Kurban Bajramit në xhaminë e stërmbushur të Zagrebit, kurse manifestimi qendror i kësaj feste të rëndësishme të besimtarëve muslimanë u mbajt në Qendrën Islamike në Rijekë.

Hutbja e Myftiut Aziz ef. Hasanoviç, si dhe tërë namazi i Bajramit u transmetua drejtpërdrejt përmes radio-televizionit shtetërorë kroat (HRT), të cilën e lexoi nga Mirza ef. Mesiç.

Në hutbën e tij, Aziz ef. Hasanoviç tha se Kurban Bajrami zë një vend të veçantë në jetën e çdo muslimani, duke forcuar lidhjen mes besimtarit me Krijuesit.

"Para Zotit do të dalim të gjithë të barabartë, por nuk do të jemi të njëjtë. Do të dallohemi nga veprat tona të mira dhe të këqija ndaj prindërve, bashkëshortëve, fëmijëve, të afërmve, miqve, fqinjëve, njerëzve të prekur, të varfërve dhe të gjithë atyre që na rrethojnë", tha Hasanoviç.

Namazi i Kurban Bajramit edhe këtë vit u fal në Xhaminë Bajrakli në Beograd në prani të një numri të madh të besimtarëve.

Besimtarë e shumtë që në orët e hershme të mëngjesit mbushën xhaminë si dhe oborrin e saj.

Namazin dhe hutben e mbajti Reisu-l-ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, Sead Nasufoviç, i cili tha se nuk duhet lejuar që ky Bajram të pritet në mos pajtim me familjen, miqtë ose fqinjët.

"Prandaj, vëllezër dhe motra të dashur, ju që e dini madhështinë e unitetit dhe jetoni në paqe në shtëpinë dhe vendin tuaj, mos lejoni që ju këtë Bajram të prisni në ngatërresë me familjen, miqtë ose fqinjët tuaj", tha ai.

Sipas tij, nuk duhet harruar të lutemi për të gjallët dhe të vdekurit, fqinjët dhe miqtë, ata që i njohim dhe ata që nuk i njohim, sepse njeriu është dhurata më e madhe e Zotit për njeriun. 




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın