BALLKANI

“Kuvendi i Shqipërisë ka përqafuar në mënyrë të suksesshme parimet e transparencës”

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, theksoi se Kuvendi i Shqipërisë ka përqafuar në mënyrë të suksesshme parimet dhe vlerat e transparencës, aspektet gjinore dhe ekspertizën nga parlamentet e tjera

Fatjon Cuka  | 05.03.2021 - Përdıtësım : 06.03.2021
“Kuvendi i Shqipërisë ka përqafuar në mënyrë të suksesshme parimet e transparencës” Foto: Misioni i OSBE-së në Shqipëri/AA

Tiranë

Konferenca shkencore ndërkombëtare “Roli i parlamentit në vendimmarrjen publike në të shkuarën dhe të tashmen në Shqipëri”, ka mbledhur parlamentarë dhe studiues për të diskutuar mbi aspektet e rregulloreve të Kuvendit dhe transparencës së këtij institucioni, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca online është organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Tiranë dhe Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri.

Në fjalën e saj në hapje të konferencës, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, theksoi se rregulloret në Kuvendin e Shqipërisë janë miratuar me konsensus.

"Pa dyshim që COVID-19 na ka penguar në punën tonë dhe ne u ndodhëm para një të papriture si Parlament dhe të gjithë institucionet e tjera për të vijuar punën në formatin online. Tërmeti dhe pandemia e pengoi Kuvendin vetëm për dy javë. Ne menjëherë kemi reaguar dhe falë mbështetjes dhe asistencës së OSBE-së bëmë ndryshimet e nevojshme në rregulloren e Kuvendit. Kuvendi i Shqipërisë është një ndër kuvendet e para në rajon që filloi punë menjëherë në formatin online", u shpreh Hysi.

Ajo theksoi se Kuvendi duhet të jetë transparent dhe llogaridhënës, duke shtuar se duhet të ketë një qasje digjitale në procesin legjislativ dhe të kontrollit parlamentar.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, theksoi se Kuvendi i Shqipërisë ka përqafuar në mënyrë të suksesshme parimet dhe vlerat e transparencës, aspektet gjinore dhe ekspertizën nga parlamentet e tjera.

"Në fakt ka lidhje të forta ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe Kuvendit. Jeta parlamentare e Shqipërisë është përparësi kyçe për veprimtaritë e Prezencës së OSBE-së", u shpreh Del Monaco.

Në konferencën njëditore morën pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, studiues, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të veprimtarisë parlamentare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın