BALLKANI

“E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është vetëm në BE”

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, Meta dhe Pahor u fokusuan në çështjet e organizimit të samitit të ardhshëm nga Sllovenia të Procesit të Brdo-Brijunit, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian

Fatjon Cuka  | 06.05.2021 - Përdıtësım : 07.05.2021
“E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është vetëm në BE” Foto: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri, në kuadër të përgatitjeve rreth takimit të radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të mbahet më 17 maj të këtij viti, ndërkohë është takuar me homologun shqiptar Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, Meta dhe Pahor u fokusuan në çështjet e organizimit të samitit të ardhshëm nga Sllovenia të Procesit të Brdo-Brijunit, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Meta theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe sipas tij, Sllovenia mbetet gjithmonë partnere shumë e rëndësishme rajonale, por edhe në Bashkimin Evropian për Shqipërinë.

"Presidenti Pahor konfirmoi edhe një herë se Sllovenia dhe ai mbeten avokatë të paepur të integrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Me presidentin Pahor ndamë qëndrimin e përbashkët se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është vetëm në Bashkimin Evropian, nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe distancimit nga e kalarua e hidhur", u shpreh Meta.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se e konsiderojë Procesin e Brdo-Brijunit dhe kontributin e tij si një instrument strategjik me vlerë të shtuar për të forcuar besimin e ndërsjellë.

"Së bashku shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për zhvillimet në Kosovë dhe sidomos për rëndësinë e realizimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e saj nga ana e Bashkimit Evropian. Theksuam rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme nga të dy palët", theksoi Meta.

Presidenti slloven deklaroi se mendon se zgjerimi i BE-së në Ballkan është jo vetëm gjeopolitik, por është i pazëvendësueshëm për paqe, qetësi dhe stabilitet në rajon dhe në krejt Evropën.

Pahor tha se së bashku me presidentin e Shqipërisë dhe udhëheqësit e shteteve të tjera do të angazhohen që në konkluzionet në dokumentin përfundimtar të takimit të ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni të japin një porosi bindëse dhe të fuqishme, “mbi rëndësinë e zgjerimit që duhet të jetë më i shpejtë”.

"Me këtë qasje do të zvogëlohej rëndësia e debatimit për ndryshimin e kufijve në Ballkan që sipas mendimit tim se ky proces nuk mund të përfundojë në mënyrë të paqtë. Me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kufijtë mes shteteve bëhen më pak të rëndësishëm dhe nuk ka nevojë për ndryshimin e tyre", tha presidenti slloven.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın